Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, me anë të një postimi në Facebook ka reaguar ndaj kritikave të cilat në adresë të tij i drejtoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Qeverisë goditi Haxhiun për nismën për tërheqjen e mjeteve të Trustit.
Kurti tha se fakti se “kush e ka iniciuar këtë çështje e tregon nivelin e profesionalizmit dhe seriozitetit, derisa nuk i përmendi emrin Haxhiut”.
Haxhiu ju kundërpërgjigj, duke theksuar se është kjo një përpjekje djallëzore e tij për të acaruar debatin për Trustin, në vend se të angazhohet për të punuar për të mirën e qytetarëve.
“Kryeministër, unë deputet i Kuvendit të Kosovës në 5 mandate, nuk fyhem nga fjalët tua, unë dhe qytetarët janë të fyer nga paaftësia e juaj, nga nepotizmi dhe korrupsioni në qeverisjen tuaj. “Ekspertizën” tuaj po e shohim në rastin Martin Berishës dhe ZRrE-së me shtrenjtim të energjisë eletrike dhe shtrenjtim të çmimeve”, shkroi Haxhiu.
Ai më tutje pyeti Kurtin se “pse është nervoz”, duke theksuar se ai “sipas Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit ka dorëzuar projektligjin për Trustin, i cili e ka mbështetjen te krejt opozitës dhe deputetëve tjerë nga mazhoranca, gjë që, sipas tij, do të duhej ta gëzonte Kurtin, e jo ta nervozojë atë”.
“Nuk është e nevojshme ta ashpërsoni gjuhën për t’u ndezur debati për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve! Zhgënjimi i qytetarëve në ju është problem qe duhet ta kapërdini pa shpërthyer kundër deputeteve që marrin nisma ligjore në dobi të qytetarëve”, theksoi Haxhiu.
Ai më tutje shtoi se “dihet se Qeveria e Kurti një muaj e ka mbajtur Projektligjin për Trustin, për të thënë një Jo qytetarëve në kërkesën për tërheqjen e një pjese të Trustit”.
“E kuptoj kryeministrin që sot ne mbledhje të Qeverisë është marr me mua dhe iniciativën për Trustin, kërkesa e madhe e qytetarëve e ka detyruar që ta rikthej në diskutim në Qeveri kërkesën për Trustin.
Kurtin e keshilloj të angazhojë ekspertët me të mirë që ka për të bërë reformën pensionale pas miratimit të projektligjit për Trustin, në cilësinë e deputetit me përvojë të gjatë do ta ndihmoja në procesin e reformës pensionale dhe sociale.
P.S.: Kryeministër për patriotizëm njihemi mirë unë dhe ti, kemi qenë bashkë në Unionin e Studentëve dhe në protestat e viti 1997, unë i jam bashkuar UÇK-së dhe jam plagosur në luftë, gëzoj statusin e ushtarit luftëtar invalid i luftës së UÇK-së e ju jeni “veteran” pa ja ba bam askund.
Kush është dilitant, ti apo unë?!
Albin për mashtrim dhe dilitantizëm je kampion!”, ka shkruar Haxhiu.


