Lajme

Kosova e fundit në ‘Ballkanin e Hapur’ merr atë që mbetet, analisti thirrje Kurtit e Osmanit

06/01/2022 10:40
nga:G B

Pro dhe kundër janë qëndrimet për nismën ‘Ballkani i Hapur’.

Presidentja Vjosa Osmani shprehur edhe njëherë kundërshtimin për këtë iniciativë, derisa ka deklaruar se ‘Ballkani i Hapur’ mund të pranohet vetëm nëse të gjithë trajtohen të barabartë.

E, sipas analistit politik, Ilir Ibrahimi, Kosova duhet t’i bashkohet nismave të tilla, derisa vlerëson se idetë si ‘Open Balkan’ para se të refuzohen, duhet të analizohen dhe më pas të merren vendimet.

“Kosova si një shtet i ri duhet të bëhet pjesë e nismave të tilla, ku përfaqësohet si e barabartë. Për më tepër kur dihet që një nismë e tillë është përkrahur edhe nga qendrat vendimmarrëse botërore. Open Ballkan nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit, përkundrazi, janë komplementare. Idetë e tilla para se të refuzohen apriori, duhet të analizohen, të diskutohen me shoqërinë dhe biznesin dhe më pas të merren vendimet”, thotë analisti për Gazeta Blic.

Sipas tij, kundërshtimi nga Kosova ka të bëjë më tepër me kundërshtimin e atyre që e kanë prezantuar si ide, se sa ideja si e tillë.

Analisti shton se derisa tani edhe Mali i Zi ka dhënë shenja të bashkimit në këtë nismë, Kosova nuk ka arsye ta kundërshtojë, madje vlerëson se kur mbetet e fundit, e merr atë që mbetet në tavolinë.

“Tani që edhe Mali i Zi me qeverinë e re properëndimore ka treguar shenja për tu bashkuar në këtë nismë, nuk ka asnjë arsye që Kosova të vazhdojë të kundërshtojë. Kur mbetesh i fundit, atëherë merr ajo çfarë mbetet dhe nuk je në tavolinë për të diskutuar termet dhe për të mbrojtur interesat”, thekson Ibrahimi për Gazeta Blic.

Ai këshillon presidenten e kryeministrin që të adaptojnë një gjuhë dhe qasje realiste, pasi fjalori populist nuk çon shumë larg në marrëdhënie ndërkombëtare.

“Liderët kosovarë, qoftë presidentja qoftë kryeministri, duhet të mësojnë se fjalori populist që i ka sjellë në pushtet, nuk çon shumë larg në marrëdhënie ndërkombëtare prandaj duhet të adoptojnë sa më shpejt një gjuhë dhe qasje realiste”, thotë Ilir Ibrahimi./Gazeta Blic/