Lajme

Lirohet Bashkim Osmani

06/01/2022 10:12
nga:Astrit Gashi

Gjykata në Palma të Majorkës e ka liruar nga paraburgimi Bashkim Osmanin, shqiptarin nga Gjakova të arrestuar nën dyshimet për udhëheqjen e një rrjeti të kokainës, ka raportuar mediumi gjerman, Bild.de.

Siç raporton mediumi gjerman, mbrojtja e Osmanit, e udhëhequr nga avokati Jamie Campaner ka luftuar për javë të tëra në gjyq që të arrijë lirimin e shqiptarit nga Gjakova.

Gjykata në Palma në Majorka lëshoi një urdhër të ri duke e zëvendësuar paraburgimin me liri të kushtëzuar. Osmani nuk lejohet të largohet nga Majorka, po ashtu për të garantuar qëndrimin e tij në ishull i është konfiskuar pasaporta.

Ai duhet të paraqitet në gjykatë në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Një operacion i Rrjetit të Policisë Evropiane (EUROPOL), të mërkurën e 15 shkurtit e kishte vënë në pranga Bashkim Osmanin në Poreç të Kroacisë. Nga aty, ai ishte ekstraduar për gjykim në Spanjë disa javë më vonë.

Siç raportonte gazeta kroate Jutarnji List, Osmani ishte arrestuar në një nga hotelet e familjes së tij në qytezën bregdetare të Poreçit.

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën dyshohet se ishin të përfshirë edhe shqiptarët.

Qazim Osmani, i cili drejton një rrjet të kazinove në Evropë, bashkë me vëllezërit e tij, Bashkimin, Burimin dhe Bekimin, prej vitesh jetojnë në Gjermani. Atje kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera evropiane.