Lajme

Mungon paditësi, Komuna e Prishtinës kërkon të konsiderohet e tërhequr padia për vërtetim prone

05/26/2022 14:22
nga:N M

Për shkak të mungesës së paditësi Xh.Q, përfaqësuesi i të paditurës- Komuna e Prishtinës, avokati Arbër Istrefi ka propozuar që të konsiderohet e tërhequr padia në kontestin ku Xh.Q po kërkon vërtetim të pronësisë.

Gjyqtari Hysni Ismaili ka konstatuar se paditësi Xh.Q është ftuar me rregull, kurse në shkresa të lëndës përfaqësuesi i tij ka propozuar që seanca të shtyhet për shkak se në të njëjtën ditë ka seancë në orën 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”

Lidhur me këtë, avokati Istrefi ka deklaruar se gjykimi të cilit paditësi i atribuohet, ku po ashtu të paditur janë Komuna e Prishtinës është në ora 10:00 dhe po në këtë objekt, ndërsa përfaqësuesi i paditëses ka pasur mundësi të prezantojë në këtë seancë.

“Por, konsideroj se në mungesë të sigurimit të provave siç ka qenë i obliguar me aktvendimet e kësaj gjykate, ka gjetur si arsyetim se ka të caktuar një seancë tjetër. Andaj, konsideroj se ky arsyetim nuk qëndron, për çka i propozojmë gjykatës që padinë e paditësit ta konsiderojë të tërhequr”, tha Istrefi.

Ndërsa, gjyqtari Ismaili tha se meqenëse në shkresat e lëndës ekziston parashtresa e të autorizuarit të paditësit për shtyrje të seancës, gjykata vlerëson se ka arsye për shtyrje të kësaj seance.

Seanca e radhës u caktua më 4 korrik.

Ndryshe, me padinë e paraqitur më 3 maj 2012, Xh.Q ka paditur Komunën e Prishtinës për vërtetim të pronësisë.

Sipas padisë, paditësi është titullar legjitim i parcelës kadastrale nr. 999/1, me sipërfaqe prej 0.07.63 ha, të cilën e ka blerë në vitin 1974 dhe çmimin kontraktues në tërësi e ka paguar tek H.G.

Tutje, paditësi pretendon se e paditura Komuna e Prishtinës parcelën e sipërpërmendur e mban pa bazë juridike dhe e njëjta në librat kadastrale evidentohet në emër të Komunës së Prishtinës.

Mbi këtë bazë, me anë të padisë Xh.Q ka kërkuar që të obligohet Komuna e Prishtinës që t’ia njohë të drejtën e pronësisë dhe t’ia dorëzojë në posedim të qetë dhe faktik parcelën.

Ndërsa, në përgjigje në padi të paraqitur më 29 maj 2015, e paditura Komuna e Prishtinës e ka kontestuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar, me arsyetimin se paditësi nuk ka bashkëngjitur ndonjë provë materiale për të provuar pretendimet e tij.

Gjithashtu, e njëjta ka shtuar se është obligim ligjor për palët që të hartojnë me shkrim kontratën dhe ta legalizojnë tek organi kompetent, duke qenë se në këtë rast nuk ka një kontratë të tillë, sipas padisë për shkak të mangësive të theksuara, kontrata e tillë është juridikisht e pavlefshme.

Komuna e Prishtinës në përgjigje në padi ka theksuar edhe se patundshmëria lëndore evidentohet në emër të saj dhe sipas Ligjit për Punë të Bashkuar parashihet se në qoftë se paluajtshmëria kalon në pronësi shoqërore pa bazë të vlefshme juridike, nëse pronari i saj nuk e kërkon kthimin e pronësisë në afat prej 5 vitesh nga dita e marrjes në dijeni, e më së largu për 10 vite, i njëjti e humb të drejtën e pronësisë

Duke qenë se sipas padisë as shitësi i parcelës, e as vet paditësi Q. në të dhëna kadastrale asnjëherë nuk kanë qenë pronarë të patundshmërisë lëndore, e paditura Komuna e Prishtinës ka kërkuar që të refuzohet kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar.

Ekzekutohen 100 eurot nga qeveria për sektorin privat