Për shkak se Prokuroria Themelore në Pejë ende nuk ka caktuar prokuror në gjykimin ndaj të akuzuarve Durim e Sali Lushaj, është shtyrë për herë të dytë seanca.
Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rexhep Ramaj. Kurse, pas kësaj, ngarkohet se bashkë me babanë e tij, Sali Lushaj kanë vrarë tani të ndjerit Burim Ramaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, deklaroi se kryeprokurori Agim Kurmehaj, përmes e-mailit zyrtar iu kishte drejtuar gjykatës që ta njoftojë se dy prokurorët janë në pushim vjetor, ndërsa dy të tjerë janë të zënë.
Andaj, gjyqtarja tha se i njëjti me mirësi kishte kërkuar që seanca të shtyhet për datë tjetër.
Gjyqtarja Husaj-Rugova, bëri të ditur se ajo e kishte lajmëruar kryeprokurorin se seanca për arsye të njëjta po shtyhet për të dytën herë.
Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Gëzim Kollçaku, Sali Mekajdhe Kosovare Kelmendi si dhe mbrojtësja e viktimave.
Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, ndërsa të radhës u caktuan më 24 qershor dhe 8 korrik 2022.
Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta Rexhep Ramajn.
Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.
Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani e Mustafë Ramajt.
Që të dy, akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.
GP i AAK-së për protestën për Trustin: Për këtë të drejtë, përpjekjet tona nuk do t’i ndalim


