Lajme

Avokati i Thaçit hedh dyshime për falsifikime të provave, kërkon që të nxjerren të gjitha dokumentet që Serbia ia dha Speciales kundër krerëve

05/20/2022 17:41
nga:Genita C

Avokati i Thaçit në Speciale, Gregory Keohe, ka vazhduar me kritikat e ashpra në Speciale për vonesën e Prokurorisë në nxjerrjen e materialeve, e që po e vonon edhe krejt procesin.

Keohe ka thënë se Prokuroria ka dështuar që t’i bëj gjërat në momentin e duhur ashtu siç e ka obligim.

Ai ka thënë se ka vite që avokatët po presin materialet që do duhej të nxjerreshin shumë më herët.

“Ata kanë dështuar për t’i bërë gjërat në momentin e duhur. Kolegët e mij janë të interesuar që kjo çështje të ecë me shpejtësinë e duhur për të kaluar në gjykim. Ka vite dhe ne po vazhdojmë të presim materialet e rregullës 103. Ka shënime të takimeve që ka bërë ZPS-ja në 2016 dhe 2017 dhe kjo nuk është nxjerrje e menjëhershme. Kur ju dhatë urdhër për nxjerrjen e materialeve, nuk e kishit fjalën për vite me radhë”, tha ai.

“Nuk ka asnjë pretekst për ZPS-në, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar që të vijë një mbikëqyrës i pavarur që të vijë për të analizuar këto materiale. Janë klientët tanë që i vuajnë këto vonesa. Ju kujtojmë që këtu bëhet fjalë për nxjerrjen e menjëhershme siç keni thënë shumë herë në urdhërat tuaja”, tha ai.

Keohe tha se duhet analizuar edhe bashkëpunimi i Prokurorisë së Speciales me Serbinë.