Lajme

Zbulohet identiteti i fituesve të çmimit më të madh të lotarisë në Mbretërinë e Bashkuar

05/19/2022 13:43
nga:Astrit Gashi

Fituesit e çmimit të madh të lotarisë “EuroMillions” në Mbretërinë e Bashkuar janë zbuluar si një çift nga Gloucester, i cili fitoi 184 milionë funte (rreth 217 milionë euro).

Sipas mediave të huaja, Joe dhe Jess Thwaite, fituan këtë shumë javën e kaluar dhe tani ata janë më të pasur se shumë figura publike.

Jess, 44, e cila ka dy fëmijë me Joe, 49, tha se fitorja do t’u japë atyre “kohë për të ëndërruar”.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga një fitues anonim, i cili siguroi 170 milionë funte (rreth 200 milionë euro) në tetor të vitit 2019.

Thwaite zbuloi se kishte kuptuar se ishte fituesi kur u ngrit për të shëtitur qentë në orën 05:15 të martën e kaluar.

Ai shpjegoi se kur e kuptoi se sa kishte fituar ai “nuk dinte çfarë të bënte”.

“Nuk mund të kthehesha për të fjetur, nuk doja ta zgjoja Jess, kështu që u shtriva”, ka rrëfyer ai.

Kur gruaja e tij u zgjua, Thwait i tha asaj se kishte një fshehtësi dhe se duhej të rrëfehej para saj.

Zonja Thwaite zbuloi se reagimi i saj fillestar ishte me mosbesim dhe vendosi të vazhdonte me rutinën e saj përpara se çifti të konfirmonte fitoren rekorde me operatorin e Lotarisë Kombëtare Camelot.