Lajme

MPJD deklarohet për aksidentin e kosovarëve në Austri

05/19/2022 11:28
nga:G B

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se 7 persona që janë lënduar në aksidentin në Austri, janë liruar nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore, raporton Gazeta Blic.

Përmes një njoftimi në Facebook, MPJD ka thënë se pas njoftimit për aksidentin, ambasadori Lulzim Pllana ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është informuar për të lënduarit dhe familje e tyre.

Po ashtu, MPJ ka konfirmuar se nuk ka viktima dhe se është në vazhdimësi në kontakt me autoritetet austriake lidhur me rastin.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, është informuar mëngjesin e sotëm për një aksident trafiku të autobusit që po barte udhëtarë kosovarë drejt shtetit të Austrisë.

Ambasadori i Kosovës në Austri, z.Lulzim Pllana, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës tonë për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre.

Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital.

Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg, dhe do të dalë me një njoftim më të detajuar sapo të pranojw informatat zyrtare.

Deri në këtë fazë mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

MPJD do t’ju mbajë të përditësuar në vazhdimësi për rastin.