Opinion

Dialogu i brendshëm e fuqizon pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë

Gazeta BlicGazeta Blic

Violeta HAXHOLLI/ Hulumtuese KDI

Procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të nisur me 8 mars të vitit 2011, i parapriu Rezoluta e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e miratuar me 10 shtator të vitit 2010.

Kjo rezolutë, e mirëpriste gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces dialogu ndërmjet palëve, i cili do të ishte faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, do të nxiste bashkëpunimin dhe përparimin e dy vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe do të përmirësonte jetën e njerëzve. Këtë vit u shënua 11 vjetori i fillimit të procesit të dialogut, ndërsa edhe pas një dekade ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

Tani pas shumë kohe kur rikthehemi tek teksti dhe qëllimet e kësaj rezolute, pa dyshim që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ndërsa, qëllimi i dytë që dialogu të nxis bashkëpunimin reciprok dhe përparimin e dy vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian ende nuk është përmbushur. Përgjatë një dekade ka pasur pak përparim qoftë në bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë për avancimin e tyre të barabartë drejt BE-së. Kosova dhe Serbia në nivel politik nuk kanë komunikim zyrtar, ndërsa për çështje praktike ndërkufitare ende komunikojnë kryesisht përmes zyrtarëve të EULEX-it. Sa i përket avancimit të dy vendeve drejt BE-së në këtë drejtim më shumë ka avancuar Serbia, e cila i ka hapur kapitujt e anëtarësimit.

Ndërsa perspektiva evropiane e Kosovës ende mbetet e penguar nga mosnjohja e 5 vendeve anëtare të BE-së. Si rrjedhojë, dialogu nuk e ka ndihmuar shumë Kosovën që të avancojë drejt BE-së. E vetmja marrëdhënie kontraktuale që Kosova ka arritur të ketë deri më tani me BE-në, është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, por në të cilën Kosova referohet me fusnotë.

Sa i përket qëllimit të tretë të Rezolutës së OKB-së për dialogun, që ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve, përgjatë një dekade mirëqenia e qytetarëve ka qenë relativisht pak në fokus të këtij procesi. Raportet Kosovë-Serbi i ka mbizotëruar më shumë diskursi politik dhe kalkulimet politike.

Kjo dëshmohet për faktin që edhe çështje si liria e lëvizjes e njohja e diplomave që prekin direkt jetën e qytetarëve, janë penguar nga qëndrimet politike. Qëndrime kryesisht të Serbisë kundër statusit dhe simboleve shtetërore të Kosovës.

Përmirësimi i jetës së qytetarëve si një nga qëllimet e kësaj rezolute përveç se në përgjithësi të qytetarëve të të dyja vendeve, ka pasur në fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, të cilët ende duhej që të integroheshin në shtetin e ri të Kosovës.

Në dialog pala serbe e ka shfrytëzuar komunitetin serb në Kosovë jo për të rritur mirëqenien e tyre, por më shumë për të ndryshuar arkitekturën e sistemit politik dhe juridik të Kosovës.

Në këtë drejtim, komuniteti serb në Kosovë është përdorë nga Serbia si mjet për të arritur qëllimet politike.

Në aspektin e brendshëm, ndikimi i Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë ka ndikuar që shteti i Kosovës të hasë në vështirësi në integrimin e këtij komuniteti në institucionet e Kosovës. Përgjatë viteve autoritetet e Kosovës kanë arritur që të depërtojnë pak tek ky komunitet. Në anën tjetër, kjo situatë i ka mundësuar Serbisë që të mbush hapësirën e zbrazët dhe të betonoj ndikimin e saj.

Përgjatë 11 viteve sa është zhvilluar dialogu mes dy vendeve pala kosovare ka pranuar një numër të madh të kompromiseve me qëllim për të siguruar integrimin e komunitetit serb në institucionet e vendit.

Edhe pse në disa aspekte ka pasur integrim, vazhdimësia gjithmonë ka qenë e cenuar nga ndikimi i qeverisë së Serbisë tek qytetarët e këtij komuniteti. Me urdhër të autoriteteve në Beograd ka pasur shumë raste kur qytetarë të komunitetit serb që janë bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, kanë pezulluar apo janë tërhequr nga jeta institucionale. Kjo shpesh herë ka rikthyer gjendjen në situatën para dialogut dhe ka rritur shqetësimet për tensione në terren. Një situatë të tillë e kemi parë herë pas here edhe muajve të fundit dhe e njëjta mund të përsëritët edhe në të ardhmen.

Por çfarë mund të bëjë Qeveria e Kosovës lidhur me këtë?

Propozimi i qeverisë aktuale, i prezantuar në kohën sa partia në pushtet ka qenë në opozitë, për zhvillimin e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës duhet të zbatohet, pasi kjo mund t’i kontribuojë rritjes së komunikimit mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të këtij komuniteti duke fuqizuar kështu edhe pozicionin e Kosovës në dialog.

Me rritjen e bashkëpunimit me qytetarët serb, Kosova mund të shtjerrë argumentet e Serbisë e cila e përdor komunitetin serb për të arritur qëllimet e saj politike në dialog. Dialogu i brendshëm mund t’i shërbejë Qeverisë së Kosovës edhe në dy aspekte tjera.

Fillimisht, vendosja e komunikimit të rregullt të Qeverisë me qytetarët serb do të dobësonte ndikimin e shtetit Serb te ky komunitet, duke ndikuar kështu në integrimin e tyre në shtetin e Kosovës.

Dhe së dyti, Qeveria do të arrinte që të kuptonte direkt nga qytetarët e këtij komuniteti se cilat janë kërkesat dhe shqetësimet e tyre në mënyrë që të njëjtat t’i shqyrtojë dhe ti adresojë jashtë procesit të dialogut. Videot e herë pas hershme të udhëheqësve institucional në rrjete sociale nuk mjaftojnë për të përçuar mesazhet e Qeverisë tek ky komunitet. Dialogu i vërtetë dhe efikas mund të ndodh vetëm direkt, në terren dhe në mënyrë sistematike.

Këto veprime të Qeverisë duhet të bëhen me qëllim të integrimit të qëndrueshëm të këtij komuniteti në sistemin e Kosovës, në mënyrë që të jetë Kosova ajo që flet në emër të qytetarëve të saj dhe jo Serbia.

Që ti pamundësohet kësaj të fundit që të ketë fjalën kryesore në dialog sa i përket këtij komuniteti. Kjo rritje e komunikimit dhe bashkëpunimit mundëson po ashtu që brenda vendit të garantohet një kohezion social që përfshin të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Sepse, institucionet e Kosovës duhet të jenë ato që kanalizojnë dhe adresojnë kërkesat e qytetarëve të saj dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës është përgjegjësi dhe kompetencë e shtetit të Kosovës dhe nuk duhet të reduktohet në subjekt të diskutimeve me një shtet tjetër.