Lajme

Ermal Hadribeaj flet para meçit të tij: Dua të jem një kampion i padiskutueshëm, shqiptarët të besojnë tek unë

05/13/2022 17:27
nga:Mergim Rreci

Ermal Hadribeaj është boksier profesionist shqiptar që jeton në Miami.

Shumë e quajnë ‘snajper” për goditjet e shpejta dhe të sakta që u jep kundërshtarëve të tij, shkruan GazetaBlic Sport.

Boksieri shqiptar ka arritur deri më tash 12 fitore dhe 1 barazim nga 13 meçe sa ka zhvilluar, por që ka ambicien e madhe për t’u bërë kampion bote në kategorinë e tij.

Të shtunën në ora 01:00 të mëngjesit, Hadribeaj do të boksojë me Sidney Rosa, boksierin 34 vjeçar, por që nuk është aspak për t’u nënvlerësuar.

Pak para luftës së tij, Hadribeaj tha për ‘GazetaBlic Sport’ se nuk pret asgjë tjetër përveç fitores.

“Nuk pres asgjë tjetër veç një fitore të madhe. Unë dua që shqiptarët të mos kenë shpresë tek unë, por të besojnë fuqishëm, sepse unë jam këtu për një vizion shumë të madh dhe për t’u bërë një kampion i padiskutueshëm”, tha fillimisht ai.

Më pas ai tha se është një djalë shqiptar me shpirt luftarak, i disiplinuar dhe i interesuar për t’u bërë një kampion i madh.

“Dua t’u them të gjithë shqiptarëve se jam një djalë me shpirt luftarak, i disiplinuar dhe i etur për atë që kërkoj. Ajo që dua është të bëhem një kampion i madh i denjë për kombin tonë dhe t’i bëj të gjithë krenarë”, përfundoi Hadribeaj.

/GazetaBlic Sport/