Me ftesë zyrtare, Delegacioni i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës po qëndron në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u prit nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut z.Talat Xhaferi dhe Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar me anë të një shkrimi në Facebook deputeti i Vetëvendosjes. Mufail Bajqinovci.
Ai më tutje ka shkruar se gjatë vizitës zyrtare delegacioni nga Kosova është pritur nga ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dhe Nazim Bushi Zv.ministër i Brendshëm, ndërsa në ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni është takuar me ministren e Mbrojtjes, Sllavjana Petrovska.
“Gjatë këtyre takimeve u diskutua rreth bashkëpunimit mes komisioneve homologe për shkëmbimin e përvojave dhe kontrollin demokratik mbi institucioneve e sigurisë.
Situata e sigurisë në rajon sidomos pas agresionit rus mbi shtetin sovran të Ukrainës ishte preokupim i dy shteteve. Poashtu në çdo takim kemi kërkuar mbështetjen e shtetit Maqedonas për anëtarësimin e Kosovës në gjithë mekanizmat ndërkombëtar”, ka shkruar Bajqinovci.


