Lajme

Akuzohet se dëmtoi komunën rreth 40 mijë euro, kjo është deklarata e ish-kryetarit të Parteshit

05/06/2022 15:21
nga:N M

Ish-kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Nikoliç, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, duke dëmtuar Komunën me 39 mijë e 750 euro.

Këtë deklarim i akuzuari Nikoliç e bëri të premten gjatë shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Isuf Sadiku, i akuzuari Dragan Nikoliç nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar Komuna e Parteshit, avokati Sherif Sherifi, ka deklaruar që nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe nuk ka kërkuar kompensim të dënimit me arsyetimin se buxheti i shpenzuar krahas kontratave të hartuara është bërë në mungesë të punëtorëve të rregullt dhe me interes të kryerjes së shërbimeve komunale.

Gjyqtari Agim Ademi ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij avokat Shabi Isufin se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të paraqesë kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hedhje të aktakuzës pranë kësaj gjykate, raporton BetimipërDrejtësi.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore 7 maj 2014 deri më 1 shtator 2016, si person zyrtar – kryetar i Komunës së Parteshit – Pasjanit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar autorizimet, me qëllim të përfitimit te dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit për buxhetin e komunës, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 12 dhe 18 te Ligjit per Shërbyesit Civil si punëdhënës ka lidhë kontrata me avokatin Rrustem Latifaj, si punëmarrës dhe atë 1 (një) kontrate mbi veprën i datës 07.05.2014, 6 (gjashtë) kontrata mbi punën numër e datës 01.06.2015, e datës 03.07.2015, e datës 18.12.2015, e datës 07.03.2016, e datës 03.06.2016 dhe e datës 01.09.2016, 3 (tri) kontrata për shërbime të veçanta, e datës 08.09,2014, e datës 01.12.2014 dhe e datës 05.03.2015.

Në aktakuzës thuhet se me datë 07.09.2014 ka nxjerrë vendim me të cilin të njëjtin avokat e ka emëruar kryetar të komisionit për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave ne Komunën e Parteshit, duke dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 39.750 (tridhjetenëntë mijë e shtatëqind e pesëdhjete) euro.

Me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Zëdhënësi i PDK-së kritikon fort Kurtin për darkën me Vuçiqin