Sporti

Ilir Daja për ndeshjet në Evropë: Duhet të ëndërrosh, që ëndrra të kthehet në realitet – synojmë përforcimin e ekipit

05/05/2022 20:09
nga:L J

Ilir Daja u bë trajneri i parë nga Shqipëria që fitoi titullin kampion në Superligën e Kosovës në futboll. E veçanta është se edhe klubi që ai drejton, FC Ballkani u shpall për herë të parë kampion në Kosovë, 75 vjet pas themelimit.

Ballkani u shpall kampion dje, tri xhiro para fundit të Superligës së Kosovës dhe tashmë do ta përfaqësojë futbollin tonë në kualifikimet për Champions League 2022/23, shkruan GazetaBlic Sport.

Daja mori drejtmin e Ballkanit në sezonin pranveror dhe në 13 ndeshje, ai ka 10 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, për ironi të dyja nga Malisheva. Në total 55 vjeçari nga Tirana ka siguruar 31 pikë për “Xhebrailat”,apo më saktë 2.38 pikë për ndeshje, që ishin të mjaftueshme për t’u shpallur kampion në elitën e futbollit kosovar.

Trajneri shqiptar ka potencuar se ky titull është i veçantë për të dhe ndihet sikur kur fitoi titullin me Elbasanin për herë të parë si trajner në Shqipëri – para 16 viteve në edicionin 2005/06.

“Kam të njëjtën ndjesi që pata kur fitova titullin e parë kampion në sezonin tim të parë si trajner në Superligën shqiptare me Elbasanin”, tha fillimisht Ilir Daja për ‘GazetaBlic Sport’.

55 vjeçari është i lumtur që do ta përfaqësojnë Suharekën në arenën ndërkombëtare për herë të parë, teksa thotë se kjo ia shton krenarinë.

“Është ndjesi e veçantë sidomos për faktin që është titulli i parë për këtë qytet sportdashës dhe me njerëz shumë mikpritës. Për herë të parë do të perfaqesojmë Suharekën në Evropë, kjo na e shton krenarinë”, vazhdoi ai.

Tashmë, klubi i Ballkanit duhet të mendojë vetëm për ndeshjet kualifikuese në Champions League, pasi në Superligën e Kosovës janë kampion, kurse nga Kupa e Kosovës janë eliminuar. Për këtë gjë do mendohet nga nesër, pasi do të fillohet puna për të shtuar kualitetin në ekip, pavarësisht se skuadra ka lojtarët për të qenë kompetitive.

“Duke nisur që nga nesër do vendosim pikët për forcimin e ekipit për Europën. Synojmë të shtojmë cilësinë dhe të rinovojmë me futbollistët në fund kontrate – por sigurisht kualiteti i ekipit është i duhuri për të qenë kompetitiv”, shtoi Daja.

Në fund, trajneri shqiptar tha se duhet të ëndërrosh që të realizohet ëndrra – kur u pyet nëse mund të bëjë ndonjë surprizë të madhe në Evropë.

“Duke shpresuar edhe te shorti që te na ndihmojë, pavarësisht se jemi të vetedijshem për forcën e kundërshtarëve, ndonjëherë duhet të ëndërrosh që ëndrra të kthehet në realitet”, përfundoi ai.

Kujtojmë se veç Ballkanit, Daja ka fituar tituj si trajner edhe me Elbasanin (2006), Dinamon (2008) dhe Skënderbeun (2018), teksa me korçarët ka luajtur edhe në grupet e Europa League, si ekipi i vetëm shqiptar që ka arritur diçka të tillë deri më tani.

/GazetaBlic Sport