Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbledhur sot në Berlin liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Me ftesë të tij sot në Gjermani kanë shkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilët do të takohen ndaras me kancelarin gjerman e më pas në një takim të përbashkët me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Për takimin e Kurtit me Scholz dhe pastaj me Vuçiqin, për Gazetën Blic ka folur Arbër Fetahu, hulumtues nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili ka thënë se nuk pret ndonjë zhbllokim të madh të dialogut.
Si sukses të madh e sheh takimin e Kurtit me Lajçakun, gati pas një viti, ndërsa që tregon se cilat tema do të trajtohen.
“Nga ky takim nuk pres ndonjë zhbllokim të madh të dialogut dhe progres të theksuar. Suksesi më i madh është vet takimi i Kurtit dhe Vuçiq pas gati një viti mungesë. Nga takimet e ndara konsideroj që do të trajtohet pozicionimi kundrejt Rusisë, nevojës për kundërshtim të agresionit rus, dhe impaktit që ky konflikt mund të ketë në Ballkan. Po ashtu ritheksimi për përshpejtim të dialogut pashmangshëm që do të jetë një nga temat në këtë takim”, është shprehur ai.

Ftesën e kancelarit gjerman ndaj Kosovës e Serbisë ai e sheh si rikonfirmim të Gjermanisë në dialog, gjë që thotë se është në interes të Kosovës.
“Normalisht që ky takim është edhe një rikonfirmim i Gjermanisë se e sheh dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si çështje me interes të saj dhe të Evropës në përgjithësi. Involvimi i shteteve që e njohin Kosovën është me interes për Kosovën dhe kjo përfshirje e Gjermanisë por edhe e vendeve tjera duhet të kapitalizohet nga pala kosovare”, ka vlerësuar Fetahu për Gazetën Blic.
Ndërsa, sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë, ai thekson se kjo vështirë se mund të arrihet pa përfshirjen direkte të SHBA-ve.
“Vështirë është e mundshme që një marrëveshje me Serbinë të arrihet pa përfshirjen e SHBA-së, dhe SHBA-ja është aktivisht e përfshirë në këtë proces që nga fillimi. Edhe përfshirja më intensive e Gjermanisë nuk është në kundërthënie me angazhimin amerikan, madje Kosova duhet të shikojë të zhvillojë kanale bashkëpunimi që pozicionin e saj në dialog ta fuqizojë përmes përfshirjes së akterëve të ndryshëm”, ka deklaruar Arbër Fetahu./Gazeta Blic/


