Një 26 vjeçar nga fshati Greikoc i komunës së Suharekës është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, pasditen e të hënës.
Policia kishte njoftuar se Faton Haxha kishte marrë lëndime të rënda trupore të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një kallash, një karikator dhe tre fishekë, ku janë vërejtur edhe disa njolla gjaku.
“Në spitalin rajonal në Prizren është sjellë i plagosur me armë zjarri një mashkull kosovar. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes në afërsi të shtëpisë së viktimës është gjetur dhe sekuestruar një armë AK 47, një karikator dhe tre fishekë si dhe janë vërejtur disa njolla gjaku. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, njoftoi Policia.
Nga Prokuroria Themelore në Prizren, kanë thënë për Gazetën Blic se rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë” dhe se Prokuroria është në pritje të raportit të autopsisë, për të ditur shkakun e vdekjes.
“Ju njoftojmë se rasti është duke u hetuar si “vdekje e dyshimtë”. Prokuroria është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve si dhe në pritje të raportit të autopsisë, për të vërtetuar shkakun e vdekjes”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti.
Ndryshe, për vdekjen e tij kishte reaguar edhe kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, i cili tha se e kishte admiruar për energjinë për jetën të ndjerin, i cili u gjet i vdekur pranë shtëpisë së tij./Gazeta Blic/


