Lajme

Blerta Deliu: Falënderoi Kurtin për nderimet për Ilaz Kodrën, por e përkujtoi se bordi i Postës, i zgjedhur nga ai, ka larguar nga puna bashkëshorten e Ilazit

04/30/2022 18:21
nga:Astrit Gashi

Me rastin e 23 vjetorit të vrasjes se komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, me anë të një statusi në Facebook është shprehur edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila theksoi se “si familjarë të komandantit Ilaz Kodra, 30 prilli për ne është ditë përkujtimi dhe krenarie”.

I tillë ishte edhe sot. Në emër të familjes, i falënderoj të gjithë të afërmit dhe miqtë që na qëndruan pranë dhe ndan me ne dhimbjen dhe kujtimet për të.

Ajo për nderimet e sotme falënderoi edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore”.

“Por, mbi të, përveç dhimbjes që ndjen vazhdimisht për humbjen e njeriut më të dashur, sot rëndojnë edhe padrejtësitë e pushtetit të kryeministrit Kurti”.

“E ndjeva për obligim ta them këtë, pasi që unë jam e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që jam pjesë aktive e politikës.
Familja Kodra nga Prekazi gjithmonë ka qenë e përndjekur, gjithmonë e persekutuar, gjithmonë e diskriminuar, por asnjëherë nuk është dorëzuar!

Kimetja, sot është qytetare e këtij vendi dhe një nënë që i ka rritur vajzat e saj dhe të Ilazit me punë dhe përkushtim të pandalshëm.
Nderime përjetë komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!”, ka shkruar Deliu në Facebook.