Sporti

Negociatat me Lewandowskin nuk janë në rrugën e duhur, Barcelona ka një tjetër alternativë për sulmin

04/29/2022 21:18
nga:Mergim Rreci

Sipas lajmeve të publikuara këtë të premte nga e përditshmja sportive spanjolle Marca, Barcelona do ta ketë kthyer vëmendjen te sulmuesi belg i Chelseat, Romelu Lukaku, pasi negociatat me Bayern Munich, që synonin transferimin e Robert Lewandowskit, nuk janë në rrugën e duhur.

Kujtojmë se golashënuesit polak i përfundon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm dhe Blaugranët do të ishin të gatshëm të paguanin nga 30 deri në 35 milionë, por bavarezët nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga sulmuesi i tyre, përcjell GazetaBlic Sport.

Lukaku, 28 vjeç, për të cilin blutë i paguan Interit 113 milionë euro këtë sezon, nuk ka mundur të përshtatet me sukses me skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel, ka vetëm pesë gola dhe një asistim në 23 ndeshje (1327 minuta) në skuadrën e Londrës dhe mesa duket do të largohet nga kryeqyteti anglez në fund të këtij sezoni.

Ai tashmë është objektivi kryesor i Barcelonës, por mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat.

/GazetaBlic Sport/