Lajme

Detaje të reja rreth vrasjes dhe plagosjeve në Klinë, Prokuroria konfirmon se një person është vrarë dhe dy janë plagosur

04/28/2022 22:42
nga:Astrit Gashi

Si pasojë e të shtënave me armë, te vendi i quajtur “Ujëvara e Mirushës” në aksin rrugor Klinë – Gjakovë, u plagosen dy vëllezër, njëri prej të cilëve më pas vdiq, si pasojë e plagëve të marra.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Fadil Gashi, i cili njoftoi se njëri nga vëllezërit ka vdekur.

“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatu se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha Gashi.

Sipas burimeve të Sinjalit, viktimat kanë qenë për iftar në restorant me familje, kur u përballën me të dyshuarit.

Personat që dyshohen se i gjuajtën vëllezërit i pritën ata në parking të restorantit, ku eskaloi situata.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se vëllezërit janë pronarë të një autosalloni në Kijevë të Malishevës.

Në bazë të informatave të para, të dyshuarit janë nga fshati Sferkë i Klinës.

Ndërkohë Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka vdekur një person dhe dy të tjerë janë plagosur në Klinë.

Dy prokurorë të shtetit në Pejë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Nje person ka humbur jeten si pasoje e te shtenave me arme zjarri dhe jane plagosur dy persona. Ne vendin e ngjarjes kane dal dy prokuror te shtetit nga Deparamentit te Krimeve te Renda ne Prokurorine Themelore te Pejes dhe Policia e Kosoves”, tha Nikçi.