Lajme

“Unë mund të them që asnjëherë nuk ka marrë as edhe një cent…” – Gjykimi ndaj policëve të Leposaviqit, e akuzuara mohon të ketë marrë ryshfet

04/27/2022 15:03
nga:N M

E akuzuara për korrupsion e krim të organizuar, Ana Vasoviq-Baraq, ka mohuar që ndonjëherë të ketë marrë apo t’i kenë ofruar para kontrabanduesit e mallrave për lejimin e kalimit të mallit nga Serbia për në Kosovë dhe anasjelltas.

“Unë mund të them që asnjëherë nuk ka marrë as edhe një cent, unë punën time e kam kryer me ndërgjegje dhe me përgjegjësi dhe jam munduar që të arrij suksese në shërbim, aspak nuk është e lehtë të jesh një grua në polici, ku sipas të dhënave zyrtare në Policinë e Kosovës punojnë 13% gra dhe unë kam qenë njëra ndër ato, kam pasur për qëllim të arrij suksese, i kam ndjekur seminaret i jam përkushtuar punës”, tha Vasoviq-Baraq.

E njëjta shtoi se pas arrestimit e kishte kuptuar sa është keqpërdorur dhe njollosur emri i saj nga kolegët e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Meqenëse quhem Ana, unë e kam kuptuar që edhe ndërrimin e kanë quajtur Ana dhe që disa kolegë duke përdorur emrin tim kanë rënë në konflikt me ligjin”, tha ajo.

Këto deklarata, Vasoviq-Baraq i ka dhënë të mërkurën gjatë dhënies së mbrojtjes në gjykimin ku së bashku me Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të saj, avokatit Predrag Mirkoviq, e akuzuara ka deklaruar se në Policinë e Kosovës ka filluar punën në vitin 2006, ndërsa në policinë kufitare ku ka pasur gradën rreshterë, ka punuar që nga viti 2015, si mbikëqyrëse e ekipit në Stacioni Policor Kufitar në Leposaviq.

Si detyrë kryesore, ajo ka thënë se ka pasur mbikëqyrjen dhe kontrollimin e vijave kufitare me Serbinë, për të penguar kalimet ilegale dhe kontrabandimin e mallrave, e që sipas saj ekzistojnë rreth 15 rrugë për kalime ilegale, në të cilat mund të kryhet kontrabandimi i mallrave.

E njëjta ia ka prezantuar gjykatës edhe dy harta, në të cilat ka treguar edhe vendet e ashtuquajtura “pika të nxehta” ku numri më i madh i rasteve të këtyre kalimeve ilegale sipas saj kanë ndodhur në këto pika.

Ajo ka thënë se si shefe e ndërrimit ka qëndruar më shumë në zyrë dhe më pak ka dalë në terren dhe se ka përpiluar edhe orarin e punës dhe me aprovimin e komandantit të stacionit apo ndryshimin e të njëjtit janë caktuar më pas orari dhe pikat patrulluese.

Gjatë punës së saj, e akuzuara ka thënë se ka pasur raste kur kanë ndërruar pikën e patrullimit në bazë të urdhrit të komandantit Rade Radosavljeviq apo qendrës operative.

Lidhur me dëshmitarët e dëgjuar gjatë këtij shqyrtimi, e akuzuara Vasoviq- Baraq ka thënë se me Vlladan Gjurgjeviq, Dushan Verziq, Sergjan Vukadinoviq dhe Bojan Pavlloviq nuk ka pasur asnjëherë kontakt por se i njeh si figura dhe në bazë të disa rasteve që i kanë pasur në polici.

Kurse, theksoi se dëshmitarët Milan Saviq dhe Dejan Sekulliq disa herë i kishte arrestuar për kontrabandim me mallra dhe se për këtë të fundit njëherë edhe kishte përpiluar raport, pasi ai e kishte telefonuar me qëllim të kalimit të kufirit në mënyrë ilegale.

Ndërsa, sa i përket dëshmitarit Jovica Mitroviq, ajo ka thënë se me të njëjtin kishte punuar rreth gjashtë muaj, duke mohuar që ndonjëherë i kishte dhënë ndonjë shumë të hollash atij.

“Jovica gjatë gjykimit ka folur për ndarjen e të hollave dhe ka thënë se atë ndarje e ke bërë ti, a është kjo e vërtet?, pyeti avokati. “Jo” u përgjigj e akuzuara.

Me dëshmitarin Mitroviq, e akuzuara ka deklaruar se ka pasur raporte të acaruara sikurse në punë e ashtu edhe në jetën private.

Kjo ngase sipas saj i njëjti nuk e kishte respektuar atë si femër dhe si mbikqyrëse që e kishte dhe se kishte qenë i papërgjegjshëm në kryerjen e punëve të tij.

Ndërsa, me të akuzuarit Dimitirjeviq dhe Uskoviq, ajo ka thënë se asnjëherë nuk kanë punuar në ndërrimin e njëjtë.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e prokurorit special Burim Çerkini, e akuzuara ka thënë se Milan Jonavoniq i cili ka nofkën “Llaki” ka punuar në ndërrimin e saj si polic patrullues dhe se ka qenë edhe zëvendës i saj.

Vasoviq- Baraq ka shtuar se nuk ka ndonjë koment për faktin se nga dëshmitaët gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor kanë deklaruar se ashtu siç e tha prokurori “në ndërrimin e Anës udhëheqjen faktike e ka bërë Milan Jovanoviq”.

Sa i përket dy të akuzuarve në këtë rast, Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq ajo ka mohuar të ketë kontaktuar me ta apo t’i takonte gjatë transportimit ilegal të mallrave.

Për depon e materialeve bujqësore, për të cilën kanë deklaruar dëshmitarët se kanë lënë të holla për zyrtarët policorë, e akuzuara ka thënë se ka shkuar shumë herë aty, mirëpo për t’u furnizuar pasi që familja e saj merret me blegtori dhe bujqësi.

Ajo ka mohuar që ndonjëherë dikush t’i ketë lënë të holla në emër të saj, duke shtuar se as në pompën e benzinës “Qeki&Neco” dhe dyqanin “Te Mira”, e njëjta asnjëherë nuk ka shkuar për të marrë apo për të tërhequr të holla si ryshfet.

“Qysh e shpjegon momentin që del Verljub Dimitrijeviq dhe ti hyn në atë depo, ku përflitet që vet pronari e ka pranuar fajësinë se ka dhënë ryshfet?, u pyet e akuzuara.

“Ky është i vetmi lokal që ka qenë në qytet dhe të gjithë aty kanë shkuar për të blerë, Veroljubin veç e kam parë në incizim kurse atë ditë mua nuk më kujtohet që e kam takuar atë”, u përgjigj e akuzuara.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Mentor Bajraktari nëse e akuzuara kishte pasur njohuri që për kalimin e mallrave ka pasur tarifa të përcaktuara për zyrtarët policorë, e njëjta ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar për këtë.

Në fund, e akuzuara ka mohuar që ndonjëherë komandanti i saj Rade Radosaljeviq me të cilin akuzohet së bashku për krim të organizuar, ta ketë udhëzuar atë të bëjë diçka jashtë detyrave të punës apo të mos bëjë punën për të cilën ishte e thirrur.

“Raportet me Rade Radosaljeviq kanë qenë profesionale dhe zyrtare. Mbledhjet zakonisht kanë qenë mujore, varësisht prej kërkesave, ndonjëherë edhe javore. Këto takime kanë qenë zakonisht me udhëheqësit ose edhe me zëvendësuesit, por takime personale s’kemi pasur asnjëherë”, tha ajo.

Seanca e radhës ku pritet të jepet mbrojtja e dy të akuzuarve tjerë në këtë rast, është caktuar për 28 prill.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe më 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1 mijë euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020 nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimore, transportin e drunjve, barnave dhe derivateve nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguajë dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuara ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

Izet Uskoviq akuzohet nga prokuroria se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Në aktakuzë thuhet se Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.