Pas takimit që kanë pasur me Presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti, delegacioni amerikan ne krye me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Europë dhe Euroazi, Karen Donfried, së bashku me Emisarin e Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë mbledhur liderët e opozitës së bashku në një takim tek rezidenca e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Kështu kanë konfirmuar për Gazeta Blic burime të afërta me njërën nga partitë opozitare.
Takimi ka filluar nga ora 19 e 30, kur pritet që të ketë edhe një “darkë pune” me liderët opozitar.
Kryetema e takimit do të jetë dialogu Kosovë – Serbi.
“Takimi i tyre ka filluar nga ora 19 e 30. Në këtë takim pritet të diskutohet për dialogun Kosovë- Serbi”, tha një burim i Gazeta Blic.
Ndryshe, delegacioninnga ShBA ka pasur sot takim me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ndihëmssekretarja amerikane për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, u shpreh se është urgjente që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialog.
Sipas saj, ky dialog është mëse i nevojshëm që të sjell marrëveshjen me njohje të ndërsjellë mes pales serbe dhe kosovare, meqë kjo është mënyra e vetme që t’i përgjigjen Kremlinit për tendencat për destabilizim të rajonit.
”Lufta brutale e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës, është thirrje për të gjithë ne, përkundër përparimit të madh të SHBA-së, Kosovës dhe shteteve që kanë bërë, është që kurrë nuk duhet ta marrim paqen apo institucionet tona demokratike për të mirëqenë”.
”SHBA duan që ta shohin Kosovën duke marrë vendin e vet të duhur në institucionet europiane dhe euroatlantike. Për këtë çështje ne i japim kaq shumë prioritet mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja për ta ndihmuar Kosovën që të arrijë në marrëdhënie të normalizuara, të qëndruara, me njohje të dyanshme me fqinjin tuaj Serbinë. Sepse status quo është e paqëndrueshme, jo vetëm që e pengon të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë drejt Europës, por i bën të mira Kremlinit. Sepse Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet, dhe konsolidim demokratik në shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe shtetet fqinje të mos integroheni në institucionet europiane dhe euroatlantike”.
”Rusia beson se një Ballkan i cili është më i fuqishëm me prosperitet demokratik më i qëndrueshëm, do të jetë një kërcënim për influencën e tij”.
”Mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit, për ta destabilizuar rajonin, janë të thjeshta. Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja”.
”Qëllimi ynë është edhe qëllimi juaj, një marrëveshje që përmirëson marrëdhëniet tuaja, e përqëndruar në njohje të ndërsjellë. Dua t’ju siguroj që përkushtimi i SHBA-së dhe aleatëve e partnerëve tanë mbetet i qëndrueshëm. Kosova e ka NATO-n me misionin e saj të KFOR-it”.
Në vazhdim e gjeni deklaratën e Kurtit, Osmanit fhe zyrtarëve amerikan pas takimeve që kanë pasur.


