Presidenti i Republikës së Letonisë, Egils Levits, së bashku me një delegacion shoqërues, do të vijë të premten për vizitë zyrtare në Kosovë.
E për këtë vizitë, Policia e Kosovës ka deklaruar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe për mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës, u tha se për shkak të qarkullimit të lirë të eskortës nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore.
Kjo ndërprerje sipas Policisë, do të bëhet të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare.
“Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtar policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë, dërguar mediave.


