Lajme

Von Cramon: Politikanët e nivelit të lartë në Kosovë me sulme dhe shpifje ndaj mediave

04/21/2022 14:13
nga:Astrit Gashi

Në debatin e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian për draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, është shprehur kritike për gjendjen e mediave në Kosovë, duke thënë se sulmet dhe shpifjet ndaj tyre vijnë pikërisht prej politikanëve të nivelit më të lartë.

“Sulmet dhe gjuha diskredituese kundër gazetarëve është e papranueshme, ku një pjesë e përgjegjësisë, fatkeqësisht, bie mbi zyrtarët më të lartë. Megjithatë, Kosova qëndron më mirë në Ballkanin Perëndimor kur është në fjalë liria e shtypit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, për bordin e ri të emëruar të RTK-së, Cramon tha se do të bëjë depolitizimin e televizionit publik.

Megjithatë, von Cramon pati lëvdata për Kosovën në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe fusha të tjera.

Derisa për sanksionet e vendosura kundër Rusisë, von Cramon tha se është dëshmi që Kosova përket në BE dhe respekton vlerat e saj.