Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë ruse që të anulojë planet për të sulmuar fabrikën e çelikut në Mariupol
Por, pse është kaq e rëndësishme fabrika “Azovstal” e cila po cilësohet si qendër e fuqishme e rezistencës në Mariupol?
Sipas Ministrisë së mbrojtjes së Republikës Popullore të Donetskut, që njihet vetëm nga Rusia, aty fshihen më shumë se tre mijë nacionalistë dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Gjithashtu, sipas disa raportimeve, në këtë fabrikë ka edhe ushtarakë dhe shkencëtarë të rangut të lartë të NATO-s që ishin të përfshirë në punën e laboratorëve biologjikë në Ukrainë.
Kompleksiteti i sulmit në “Azovstal” është se fabrika ka shumë katakombe dhe tunele ku strehohen ushtarët ukrainas nga bombardimet.
Në fakt, ka raportime se fabrika e çelikut është një qytet i vërtetë në vetvete dhe ka gjashtë ose tetë kate nëntokësore.
Shumë njerëz shtrojnë pyetjen: pse kjo fabrikë, që në dukje nuk ka asgjë më të pazakontë se fabrikat e tjera, nuk bombardohet?
Ekspertët përmendin disa arsye, ku e para, sipas tyre, është se nuk mund të shkatërrohet infrastruktura nga lart nëse e gjithë “zemra” është brenda, ose më mirë thënë nën tokë. Përveç kësaj, aty pranë ka ndërtesa banimi dhe shumë municion.
Më 10 dhe 11 prill, televizioni rus Zvezda, si edhe disa media ruse online, publikuan informacionin se në 30 metra thellësi nëntokësore nën fabrikën “Azovstal” që gjendet në zonën industriale të Mariupolit ekziston një laborator biologjik sekret i NATO-s me emrin PIT-404.
Sipas këtyre raportimeve, PIT-404 u ndërtua dhe drejtohet nga Metabiota, një kompani e lidhur me djalin e Joe Biden, Hunter Biden.
Të njëjtat media kanë raportuar se në këtë ‘laborator sekret’ janë 240 të huaj, duke përfshirë oficerë të NATO-s dhe të Legjionit të Jashtëm Francez.
Kjo temë u trajtua edhe nga kanali propagandistik i Kremlinit, Russia Today, ku si e ftuar speciale ishte redaktorja e “Qendrës Kaukaziane për Studime Islame”, Shota Apkhaidze. Ndërkohë, edhe ish-kryeministri i Ukrainës, Mykola Azarov, në një postim në Telegram i referohet ekzistencës së bio-laboratorit sekret të NATO-s nën “Azovstal”.
“Azovstal” lidhet edhe me emrin e gjeneralit amerikan Roger L. Cloutier Jr., pasi pati raportime për për kapjen e tij në katakombet e “Azovstal”.
Shumica e mediumeve në gjuhën ruse që raportuan në lidhje me objektin dhe biolaboratorin sekret të NATO-s në Azovstal nuk kanë treguar burimin e informacionit. Disa media citojnë kanalet e rrjetit social Telegram, fort të përdorur në ‘luftën teknologjike’ Rusi-Ukrainë. Yuri Baranchik, redaktori i medias propagandistike të Kremlinit, regnum.ru, publikoi gjithashtu këtë informacion në kanalin e tij Telegram.
Pretendimi se objekti sekret i NATO-s PIT-404 dhe një laborator biologjik ndodhen nën “Azovstal” për momentin është veç një teori konspirative dhe nuk bazohet në prova faktike.
Konspiracion është edhe informacioni se zyrtarë të lartë të NATO-s dhe vendeve të tjera janë bllokuar në “Azovstal”. Këto pretendime bazohen në një nga komentet e publikuara në një forum në gjuhën ruse, që u bë burim i kësaj teorie, autori i të cilit i quan këto pretendime mendimin e tij dhe nuk e mbështet atë me asnjë argument.
Nuk ka asnjë informacion zyrtar se ka një projekt të quajtur PIT-404 dhe i njëjti shfaqet vetëm në materialet konspirative të mediave ruse. Konspiracion cilësohet edhe raportimi se se kompania “Metabiota” financon zhvillimin e armëve bioligjike në Ukrainë, derisa edhe pretendimi se gjenerali amerikan Cloutier ishte në “Azovstal” dhe u bë peng i ushtrisë ruse konsiderohet si dezinformatë.