Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se nuk kishte fjalë për të shpjeguar atë që ai ndjen pas vizitës në Ukrainë, duke shtuar se Rusia duhet të ndëshkohet për ngjarjet që po zhvillohen në vend, shkruan CNN.
“Nuk ka fjalë për të shpjeguar atë që ndjej, jo si President i Këshillit Evropian, por si baba, si qenie njerëzore. Këto janë mizori. Këto janë krime lufte. Duhet të dënohet. Do të dënohet. Ata duhet të paguajnë për atë që kanë bërë, atje dhe në shumë qytete të tjera dhe vende të tjera në Ukrainë”, tha Michel në një konferencë shtypi në Kiev.
Duke folur së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Michel tha se më herët gjatë ditës kishte vizituar qytetin e Borodianka, ku u zbuluan varreza masive plot me qindra civilë të vrarë pas tërheqjes së forcave ruse nga rajoni i Kievit.
Michel tha se Bashkimi Evropian po kërkon një fitore të Ukrainës kundër Rusisë dhe do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur Ukrainën.
“Për momentin, si ju, unë mendoj për njerëzit, për civilët në Donbas, në Mariupol, në qytete të tjera, të cilët po luftojnë për jetën e tyre. Të cilët po luftojnë për sovranitetin e Ukrainës. Kjo është arsyeja pse ne do të përdorim të gjitha mjetet e mundshme në duart tona,” u shpreh Michel.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian po punon ngushtë me organizatat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore për të siguruar që Ukraina të mund të marrë fondet që i nevojiten për të paguar për shpenzimet sociale afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
“Por edhe kjo është shumë e rëndësishme, për të nisur sa më shpejt programin e rindërtimit të vendit”, tha ai.
Ministria e financave e Ukrainës ka vlerësuar se do t’i nevojiten 5 miliardë dollarë në muaj ndihmë financiare për të mbajtur funksionimin e ekonomisë së vendit./CNN


