Lajme

Nesër del para Gjykatës i dyshuari për vrasjen e 40-vjeçarit në Klinë

04/16/2022 20:17
nga:Astrit Gashi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Klinën, ku nga të shtënat me armë zjarri në Zllakuqan, mbeti i vrarë 40-vjeçari, Mark Ademi. Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e tij, Anton Ndrecaj si i dyshuari kryesor, Ndue Ndrecaj, i cili më pas u lirua, dhe një person tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Gjykatës bëjnë të ditur se nesër në ora 10:00 do të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit, Anton Ndrecaj.

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se në arrati ndodhen edhe dy vëllezërit e viktimës, Mark Ademi, të cilët po ashtu ishin të përfshirë në rrahje.

Mësohet se Ademi e Ndrecaj janë kushërinj mes vete dhe se gjithçka ndodhi pas një fjalosje që kishin vëllezërit e të dy palëve për motive ende të panjohura.

Ndryshe, një patrullë policore kishte marrë informacionin dje rreth orës 16:40 se po ndodhë një rrahje në atë pjesë dhe ishte nisur për në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj periudhe situata ishte tensionuar në vendin ku veçse kishte ndodhur krimi.

Policia ishte rrugës për të intervenuar, ka hasur në njërin nga të dyshuarit, Ndue Ndrecaj, i cili e ka ndalur Policinë dhe iu ka thënë se është sulmuar nga vëllezërit Ademi.

Kërkimet për t’i kapur personat e përfshirë në rast kishin nisur menjëherë, kurse i dyshuari që e njoftoi Policinë për sulmin dha deklaratë në stacion.

Derisa i njëjti është intervistuar, fillimisht në cilësinë e viktimës të rrahjes, Policisë në ato momente i shkoi informacioni tjetër. Tashmë bëhej fjalë për plagosje me armë zjarri të viktimës Mark Ademi.

Me të marrë informacionin, viktima fillimisht u dërgua në QKMF-në e Klinës, por më pas, nën përcjelljen e policisë, u transportua në Spitalin rajonal të Pejës, ku u konstatua se fatkeqësisht i njëjti kishte ndërruar jetë.

40-vjeçari vdiq, ndërkohë që të gjitha njësitet policore dolën në vendin ku ndodhi krimi, për të marrë masat e nevojshme, me ç’rast u prangosën tre të dyshuar. Anton Ndrecaj, Ndue Ndrecaj dhe një familjar i tyre përfunduan në prangat e Policisë për vrasjen e Mark Ademit.

Ndaj Anton Ndrecajt, prokurorja ka lëshuar urdhër për caktimin e masës së ndalimit prej 48 orësh, si i dyshuar kryesor për vrasjen e Mark Ademit.