Lajme

Vllasi: Shërbimet informative serbe dhe ruse kanë “shkollë” për trillime

04/14/2022 21:21
nga:Astrit Gashi

Ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty, tash e 16 muaj po jeton nën mbrojtje të lartë në Zvicër për shkak të kërcënimeve që ka marrë. Kështu kanë raportuar mediat zviceran pas një hulumtimi, sipas të cilit, Marty u kërcënua me vdekje nga shërbime të inteligjencës serbe, që kishin për qëllim t’ia linin fajin Kosovës.

Lidhur me këtë, avokati Azem Vllasi, tha për RTK-në se dihet që shërbimet informative serbe dhe ruse e kanë shkollën, kur trillojnë diçka shikojnë që fajin të ja lënë kundërshtarit.

“Ne që moti, prej kohës kur e mbronim autonominë kushtetuese të Kosovës jemi mësuar me gjera të tilla nga Serbia . Propaganda e tyre bënte bujë dhe dilte se shqiptarët po kryejnë krime të ndryshme kundër serbëve”, tha Vllasi.

Ai thotë se Dick Marty ju ka shërbyer mirë, atij i kanë dhënë informata që të bëjë raportin. “Më shumë se 80 për qind në raportin e Dick Martyt gjenden informata të ofruara nga shërbimet e Serbisë”, tha pos tjerash ai.

Është pikërisht raporti i Martyt i përpiluar në vitin 2010 të cilin e kishte prezantuar në Këshillin e Evropës, në të cilin kishte shkruar për siç tha ai, krimet e kryera nga UÇK-ja. Madje, ky raport ishte marrë për bazë që të themelohej Gjykata Speciale në Hagë e cila po vazhdon proceset kundër ish-krerëve të UÇK-së.