Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Zjarrfikësve, janë shprehur të pakënaqur me miratimin e pagës minimale 250 euro neto.
Kështu ka thënë për GazetaBlic Atdhe Hykolli, i cili vlerëson se BSPK-ja rri fuqishëm pas kërkesave sindikale dhe se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për veprimet sindikale.
Tutje ai shton se, propozimi i tyre për pagën minimale nuk është marr parasysh, e që sipas tij, kjo e fundit nuk është punë dëshirash.
“Vlera e pagës minimale është vlerë që llogaritet dhe nuk është punë dëshirash, e në Këshillin Ekonomiko-Social vepron Komisioni Profesional Trepalësh për Paga, Çmime dhe Pensione, i cili e ka për detyrë të shqyrtojë dhe të ofrojë rekomandime për çështje të cilat janë kompetencë e tyre në takimet e KES-it dhe organeve të tjera qeveritare, me qëllim të orientimit dhe zbatimit të politikave shtetërore në fushat të cilat i mbulon. Dhe për t’u kthyer te pyetja juaj, sindikatat e kanë këtë mandat, mandatin që ia jep ligji, të përfaqësojnë interesat e sindikalistëve. Në mbledhjen e fundit të KES-it në votim u hodhën dy propozime për vlerën e Pagës minimale – 264€ dhe 300€, dhe asnjëri nga këto propozime nuk mori vota e duhura – 2/3 e votave. Dhe sot kemi një Pagë minimale e cila është hedh në votim në mbledhjen e fundit të KES-it por nuk ka marrë votat e duhura. BSPK-ja rri fuqishëm pas kërkesave sindikale dhe ndjek të gjitha rrugët ligjore për veprimet sindikale në të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomike, sociale e shëndetësore të të punësuarve, dhe do të vazhdojë me artikulimin e kërkesave të federatave sindikale në të gjitha format e lejuara me ligj – po nuk do të tërhiqet”, ka deklaruar ai.
Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot e ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto.
Sipas këtij vendimi, ora e punës do të bëhet në vlerë 1.5 euro.
Në arsyetim të propozimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se do të duhet të ndryshohen edhe ligjet që ndërlidhen me pagën minimale.
Është miratuar edhe ndryshimi i shkallës tatimore, që parasheh që të gjitha pagat të mos tatohen në 250-euroshin e parë.