Media konsiderohet si pushteti i katërt, duke luajtur edhe rolin kyç në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike kudo në botë.
Por, jo rrallëherë gazetarët shihen si pengesë e pushteteve, pikërisht për faktin se misioni i tyre në realitet duhet të jetë në gjurmim të së vërtetës për të bëmat e tri pushteteve tjera.
Ky fakt i ekspozon gazetarët në sulme të drejtpërdrejta dhe linçime.
“Pëlqeje këtë nëse e përkrah Albin Kurtin për kryeministër”, është vetëm njëra ndër faqet që ka mijëra ndjekës dhe e cila, kohë pas kohe, bën thirrje linçuese për gazetarët.
Në murin e kësaj faqeje nuk janë të rralla postimet me fotografi të gazetarëve dhe mbishkrime që përmbajnë edhe gjuhë të urrejtjes.
Më 7 prill, në ballinën e saj, u postua lajmi “Këta janë pseudo-GAZETARËT” bashkangjitur më fotografitë e gazetarëve dhe udhëheqëse të mediave të ndryshme në Kosovë, me mbishkrimin:.
“Këta janë vetëm disa nga gazetarët milionerë të konvertuar në biznesmenë dhe me mision SHKATËRRIMIN e VETËVENDOSJES….”.
Edhe pse nuk dihet se kush qëndron pas këtyre publikimeve dhe çfarë tendence ka, këto postime janë mjaft shqetësuese për komunitetin e gazetarëve.
Faqe të tilla që thirrën në emër të kryeministrit Kurti ka pasur goxha shumë.
Më parë është mbyllur grupi “Me kryeministrin”, i cili qe hapur menjëherë pas rrëzimit të “Qeverisë Kurti 1”, që kishte 365 mijë profile të anëtarësuar dhe jo rrallëherë në postimet e tyre janë akuzuar mediat për sulme ndaj Qeverisë Kurti.
Një gjuhë e tillë kërcënuese vë në dyshim edhe lirinë e shprehjes.
Mirëpo, ndonëse përkrahësit e qeverisë janë të zëshëm, qeveria qëndroi e heshtur ndaj këtyre postimeve. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve tona në lidhje me këtë çështje.


