Lajme

QIKA: Qeveri, çka për gratë?

04/12/2022 15:59
nga:Astrit Gashi

Organizata Joqeveritare, QIKA (Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion), ka reaguar në lidhje me masat e reja në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të publikuara sot nga Qeveria e Kosovës, nga të cilat do të përfitojnë vetëm të punësuarit, studentët, pensionistët, familjet në nevojë etj.

Me anë të një postimi në Facebook, kjo organizatë ka shkruar se këto pagesa, që edhe ashtu më shumë duken një lëmoshë një mujore se sa zgjidhje afatgjate e problemit, nuk do të jepen për vajzat dhe gratë që nuk janë studente, të punësuara apo pensionere.

“Vetëm rreth 15% e grave në Kosovë janë të punësuara dhe shumica e tyre janë komplet të përjashtuara nga tregu i punës. Nuk është hera e parë që në kohë krizash gratë janë ato që vuajnë më së shumti nga varfëria dhe mungesa e qasjes në të mirat publike. Nuk ka dalje nga kriza, pa dalë GRATË nga kriza. QIKA fton institucionet e vendit që urgjentisht të trajtojnë varfërinë e grave dhe të përfshijnë analizën gjinore në secilën politikë që prodhojnë”, thuhet në reagimin e QIKA.