Lajme

Alarmojnë nga Asociacioni i Komunave dhe nga komunat: Kontrata kolektive po rëndon buxhetin, të ndërhyjë Qeveria

04/06/2022 18:08
nga:Genita C

Deklarta e kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Agim Aliu i cili tha se Kontrata Kolektive është barrë e rëndë për komunat e Kosovës, po përkrahët edhe nga anëtarët tjerë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për GazetaBlic u shpreh se deklarata e Agim Aliut përkrahët nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës duke thënë se kjo është një barrë shumë e rëndë dhe për këtë ka një arsye.

Sipas tij, arseyja kryesore është niveli qendror në momentin kur ka lidhur marrëveshje me sindikatat e arsimit dhe të shëndetësisë në kurrizin financiar të komunave.

“Një gjë të tillë, ne si Asociacion e kemi kërkuar me vite. Deklarata e Agim Aliut qëndron plotësisht dhe përkrahët nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Kjo është një barrë shumë e rëndë për komunat dhe këtë barrë i’a ka lënë niveli qendror kur i ka lidhur kontratat apo marrëveshjet me sindikatat e arsimit dhe shëndetësisë por në kurriz financiar të komunave, gjë e cila është shumë e padrejtë”.

Ibrahimi shton faktin se, komunat duhet të ndihmohen nga qeveria përmes mjeteve financiare sepse sipas tij, ka disa vite që komunat janë duke u dëmtuar nga investimet kapitale.

“Ne besojmë se qeveria duhet të ndërmerr hapa konkret për përkrahjen e komunave në zbatimin e kontratave kolektive, përmes mjeteve financiare. Ka disa vite që komunat janë duke u dëmtuar sepse po marrin para nga investimet kapitale dhe kur ndodh kjo, për qytetarët nuk është asgjë e re- në kuptim që të gjitha parat e investimeve shkojnë për qytetarët dhe në këtë rast më së shumti është duke u dëmtuar qytetari”, përfundoi Ibrahimi.

Edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj e përkrahë fuqishëm deklaratën e Aliut duke u shprehur se kur është nënshkruar kontrata nuk ka pasur konsultime me komunat për procesin e kësaj çështjeje.

Sa i përket ndihmës nga qeveria e Kosovës, Totaj tha se nuk janë zhvilluar ende takimet zyrtare me ministrat.

“Ne mendojmë se është barrë e madhe për komunën sepse kur është nënshkruar kontrata kolektive nuk ka pasur konsultime për formën se si do të shkojë kjo procedurë dhe patjetër që një gjë e tillë e rëndon bugjetin tonë.Deklarata e Agim Aliut mbështetet edhe nga ne”, u shpreh Totaj për GazetaBlic.