Sporti

Dy çerekfinale tjera fantastike sonte në Ligën e Kampionëve, Real Madrid kërkon ‘hakmarrje’ ndaj Chelseas

04/06/2022 08:40
nga:Mergim Rreci

Emocionet e Ligës së Kampionëve do të jenë prezente edhe sonte me dy ndeshje të tjera fantastike.

Mbrëmë u zhvilluan dy çerekefinalet e para, atje ku Liveprool mposhti Benfican 1 me 3, kurse Manchester City fitoi minimalisht ndaj Atletico Madrid, 1 me 0, shkruan GazetaBlic Sport.

Sonte është radha për dy çerekfinalet e tjera, atje ku një ndeshje e jashtëzakonshme na pret në Londër. Chelsea është nikoqire e Real Madridit, në ndeshjen ku pritet të ketë spektakël nga të dyja anët.

Real Madridi do të jetë pa trajnerin Carlo Ancelotti, i cili është i infektuar me koronvairus. Madrilenët do të kërkojnë ‘hakmarrje’ ndaj skuadrës angleze për eliminim që ia shkaktoi në edicionin e kaluar nga Liga e Kampionëve.

Një tjetër ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo mes Villarrealit dhe Bayern Munich, atje ku skuadra gjermane është favorite, por që edhe spanjollët dëshmuan në ndeshjen ndaj Juventusit se mund të bëjnë gjëra të mëdha.

Të dy ndeshjet luhen në ora 21:00.

/GazetaBlic Sport/