Lajme

Gjyqtarët serbë vazhdojnë me bojkotimin e punës, nënkryetari i Gjykatës së Mitrovicës i thërret në takim

04/04/2022 11:32
nga:N M

Një pjesë e gjyqtarëve të komunitetit serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nuk janë paraqitur në punë as mëngjesin e së hënës, ndërsa nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi, sot pritet të mbajë takim me këta gjyqtarë.

Në rrethana të ngjashme si nga java e kaluar, në gjykatë janë paraqitur një numër i vogël i gjyqtarëve serbë, për të proceduar me rastet e natyrës urgjente.

Ndërsa, stafi mbështetës i gjyqtarëve serbë janë paraqitur në punë që nga dita e dytë e bojkotimit të punës.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me Bekim Veliqin, nënkryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i cili konfirmoi se sot, në cilësinë e nënkryetarit të gjykatës ka thirrë në takim gjyqtarët nga komuniteti serb.

Nënkryetari Veliqi ka bërë të ditur se një numër i gjyqtarëve serbë që nuk po paraqiten në punë kanë marrë pushime vjetore, njëri nga ta është në pushim mjekësor, dy gjyqtare të këtij komuniteti janë të angazhuara në Gjykatën e Apelit – dega në Mitrovicë, ndërsa një gjyqtar është i angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjyqtarët e komunitetit serb nuk janë paraqitur në punë që nga 25 marsi, pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq.

Ndërsa, që nga dita e martë e javës së kaluar janë paraqitur në punë stafi mbështetës i gjyqtarëve të komunitetit serb, kurse nga e mërkura janë paraqitur edhe një numër i gjyqtarëve serbë.

Bojkotimi i punës nga ana e gjyqtarëve të komunitetit serb erdhi pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës. Suspendimi i Stevanoviq u bë pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Ndryshe, lajmin për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

“Kosova duhet ta ketë vetëm një prioritet – anëtarësimin në NATO”