Një ngjarje e shëmtuar ndodhi sot në derbin e javës së 27-të në Superligën e Kosovës në futboll, mes Gjilanit dhe Ballkanit.
Nga një goditje këndi thuajse në fundin e ndeshjes, golin e barazimit e gjeti portieri, Enea Koliçi, që barazoi shifrat në 1-1.
Pas golit, tifozët e Gjilanit u inkuadruan në fushë dhe sulmuan portierin e Ballkanit, Stivi Frashërin. Ai më pas me autoambulancë u dërgua në spital, ku gjendja e tij u përmirësua pas intervenimit nga stafi mjekësor i Spitalit në Gjilan.
Rezultati kur kjo ndeshje u ndërpre ishte i barabartë 1:1, teksa tani lidhur me fatin e ndeshjes pritet që të merret një vendim nga Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës.
FFK përmes një reagimi ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, teksa ka kërkuar nga organet e rendit që të marrin masa ndaj personave të tillë të dhunshëm.
“Federata e Futbollit e Kosovës e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në fundin e ndeshjes së javës së 27-të të BKT Superligës, Gjilani – Ballkani, që u zhvillua në Stadiumin e Qytetit në Gjilan. FFK ndjehet e shqetësuar me incidentin e ndodhur, teksa i dëshiron shërim të shpejtë portierit Stivi Frashëri. Kërkojmë nga organet e rendit që të marrin masa të mënjëhershme ndaj personave të tillë të dhunshëm, që me veprimet e tyre po i vendosin njollë të zezë futbollit tonë. Njëherësh i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të veprojë sa më parë për t’i vënë para drejtësisë personat që shkaktuan dhunë ndaj portierit Stivi Frashëri. Po ashtu, kërkojmë edhe nga klubet organizim dhe menaxhim më të mirë të ndeshjeve, pasi është e papranueshme që imazhi i futbolli kosovar dhe i vet klubeve të dëmtohet nga disa individë të papërgjegjshëm dhe të dhunshëm. FFK kërkon edhe nga komisionet e saj që ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë incident, derisa nga të gjithë dashamirët e futbollit kërkojmë distancim nga veprimet e tilla të dhunshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën më të popullarizuar në botë”, thuhet në reagimin e FFK-së.


