Sporti

Emir Sahiti: E dua shumë futbollin, u mërzita që u lëndova para grumbullimit me Kosovën – duam kualifikimin në kampionatin evropian

03/31/2022 09:48
nga:L J

Emir Sahiti po shijon ditët më të mira të karrierës së tij. I riu nga Kosova ka ecur gradualisht dhe aktualisht është i pashmangshëm në planet e Vladas Dambrauskas tek Hajduku në Kroaci.

Nga pesë sezonet në Hajduk, dy i kaloi duke thyer ekipin e dytë, në të tretën nuk luajti për dhjetë muaj dhe vetëm në të katërtin, të cilin e kaloi në huazim në Sibenik, fitoi një mundësi reale me paraqitjet e tij, përcjell GazetaBlic Sport.

Së fundmi ai u bashkua edhe me kombëtaren e Kosovës në futboll, mirëpo mungoi në dy ndeshjet e marsit ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës, shkaku i një dëmtimi që pësoi në ndeshjen ndaj Lokomotivës.

Ai thotë se i mbeti merak paraqitja në ballafaqimet miqësore të kombëtares së Kosovës, pasi do të mund të tregonte aftësitë e tij.

“Më vjen shumë keq. Më thirrën për herë të parë. Do të doja të kisha luajtur për vendin tim, si çdo futbollist. Do të bëja më të mirën në ato ndeshje”, tha Emir Sahiti për mediumin kroat, Index.hr.

“Lojtarët tanë të Kombëtares ishin shumë të motivuar, do të isha edhe unë. Është e mrekullueshme të kesh mundësinë për të luajtur kundër lojtarëve si Shaqiri apo kapiteni i Arsenalit, Xhaka.”

Si vendosët për Kosovën pasi luajtët për Shqipërinë tek U21?

“Unë kam luajtur për kombëtaren e Shqipërisë U-21, është normale që kam luajtur për Shqipërinë, por e kam dashur më shumë Kosovën. Aty jam rritur, Prishtina është qyteti im.”

“Zemra më ka thënë të luaj për Kosovën, por këtu nuk bëjmë dallime, jemi vëllezër. Ismajli, për shembull, ka lindur në Kosovë, por luan për Shqipërinë.”

Kosova nuk ka trajtim të barabartë kudo. Në Spanjë kohët e fundit nuk ju lejuan të përdorni emrin tuaj sepse nuk e njohin pavarësinë tuaj, a është ky një motiv shtesë?

“Nuk dua të futem në politikë, por sigurisht që është. Ne duam të tregojmë se çfarë di të bëjë Kosova. Është një motiv i veçantë për secilin nga kombëtarja jonë.”

Familja juaj është nga Lugina e Preshevës, kurse ju keni lindur në Zemun?

“Ashtu është, familja ime është nga Medvegja, unë kam lindur në Zemun, por kur isha pesë-gjashtë muajsh, e gjithë familja u shpërngul në Prishtinë. Të gjithë jemi shqiptarë dhe jetojmë kudo, disa në Beograd. Unë shkoj i vizitoj kur të mundem.”

Kur keni filluar të luani futboll?

“Fillova karrierën në Prishtinë në moshën pesë vjeçare në klubin Ramiz Sadiku, aty u stërvita shtatë apo tetë vjet, pastaj shkova në FC Prishtina. Aty kam luajtur për kategoritë më të reja, dhe në moshën 16 vjeçare shkova në Rabotnicki, në Shkup. Në vitin 2018 erdha në Hajduk si huazim për gjashtë muaj, ku arrita të tregohem, kështu që u akorduam për një transferim”

Vitin e kaluar ju vizituat klubin tuaj të fëmijërisë Ramiz Sadiku, si kaluat?

“I mbaj kontaktet, ka ende trajnerë me të cilët jam stërvitur kur isha fëmijë. Ata më respektojnë dhe gëzohen kur vij. Ata duan që unë t’u tregoj se si është në Hajduk, Hajduk është një klub i madh për njerëzit nga Kosova, unë u them atyre për ligën kroate, klubin, tifozët.”

A ka ndonjë tifoz të Hajdukut në mesin e shqiptarëve?

“Sigurisht. Në kohën e Jugosllavisë, shumë njerëz në Kosovë kanë bërë tifo për Hajdukun. Në Mitrovicën e Kosovës është klubi Trepça, grupi i tifozëve të të cilit sot quhet edhe Torcida, ndonjëherë vijnë për të parë ndeshjet në Poljud.”

Përveç jush dhe vëllait tuaj Suad Sahiti, a ka ndonjë lojtar tjetër nga Ramiz Sadiku që ka një karrierë të suksesshme?

“Po, është Amir Rrahmani. E kam njohur gjithë jetën, është pak më i madh, edhe ai është nga Prishtina dhe ka filluar në atë klub. Unë dhe Suadi gjithmonë rrinim me të. Ne kemi të njëjtin menaxher. Ai luan rregullisht dhe shumë mirë për Napolin. Ai është shoku im më i mirë nga kombëtarja.”

E dije menjëherë se do të bëheshe futbollist? Si keni qenë në shkollë?

“Të them të drejtën, shkolla ime nuk shkoi shumë mirë. Nuk kam mësuar shumë, kam qenë i fokusuar vetëm te futbolli. Kam gënjyer nënën se isha i sëmurë dhe kisha temperaturë, pastaj shkoja në stërvitje. Mami nuk ishte shumë e nervozuar me këtë, ajo mbështeti fokusin tim te futbolli. Vëllai i madh Suad gjithashtu stërvitej vazhdimisht”.

Ëndrra juaj?

“Kur je lojtar i ri, është normale që doni të luani në një nga top 5 ligat evropiane, por unë jam i fokusuar te Hajduku. Jam i lumtur edhe nëse nuk shkoj askund.”

Po me Kosovën?

“Të gjithë ne në kombëtare aktualisht kemi një ëndërr për të shkuar në Kampionatin Evropian”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport