Mario Balotelli këmbëngul se është i lumtur në Turqi me Adana Demirspor, por buzëqeshi kur u pyet nëse do të dëshironte një rikthim në Serie A.
Ndërsa është folur shumë për rikthimin e mundshëm të sulmuesit për kombëtaren e Italisë, karriera e tij në klub është gjithashtu një çështje diskutimi, përcjell GazetaBlic Sport.
“Të luaja në Turqi ishte një sfidë e madhe për mua. Kam pranuar shumë sfida në karrierën time dhe po e shijoj vërtet këtë”, tha SuperMario për Sky Sport Italia.
“Tifozët në Turqi janë shumë besnikë, ata kujdesen shumë për klubin e tyre dhe i trajtojnë lojtarët në mënyrë fantastike.”
Balotelli nuk është i vetmi italian në Adana Demirspor, pasi ish-trajneri i Romës, Milanit dhe Fiorentinës, Vincenzo Montella e ndoqi atje.
“Është e mrekullueshme të stërvitesh nga Montella, e shikoja në TV kur isha fëmijë, tani ai mund të më japë këshilla të shkëlqyera”.
Balo po ndjek garën aktuale të Serie A për titull, me Milanin e ndjekur nga Napoli, Inter dhe Juventus.
“Është një përfundim emocionues që ia vlen të ndiqet. Kushdo që fiton, do të jem i lumtur”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


