Kosova do të përballet nesër me Zvicrën.
Ndeshja miqësore do të jetë e veçantë veçanërisht për tre shqiptarët nga Kosova, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri, shkruan GazetaBlic Sport.
Zeqiri madje ishte gati të përfaqësonte Kosovën, kur për disa momente kjo punë konsiderohej e kryer nga FFK, por që në fund Andi Zeqiri zgjodhi Zvicrën.
Zeqiri tha se do jetë i gatshëm për reagimet e tifozëve, kurse tha se Zvicrën e zgjodhi vet.
“Kam menduar shumë, kam menduar shumë. Deri më tani, Zvicra m’i dha të gjitha kushtet për futboll. U bëra njeri i këtij vendi, ama e di që e kam gjakun shqiptar kah ana e babit e mamit. Unë kam zgjedh, nuk ishte as mami as babi, por unë e kam thënë fjalën e fundit dhe këtu jam sot për Zvicrën”, ka thënë Zeqiri.
“Nesër do të jetë lojë speciale për mua. Jam gati për nesër. E gjithë familja do të jetë aty. Tifozët e di që do të jenë aty, por për reagimet e tifozëve jam gati. Kam fokusin te loja dhe shpresoj të kalojmë mirë”, shtoi ai.
Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet nesër në Zurich me fillim nga ora 18:00.
/GazetaBlic Sport/


