Detaje të reja janë zbardhur nga dy shpërthimet e fuqishme me eksploziv në qytetin e Shkodrës.
Bëhet e ditur se shpërthimet janë dëgjuar pasmesnate në një hark kohor brenda 10 minutash.
Nga informacionet paraprake mësohet se shpërthimi i parë u dëgjua rreth orës 02:00, ndërsa 10 minuta më pas është dëgjuar tjetri.
Deri më tani thuhet se lënda plasëse eksploziv i është vendosur dy bizneseve, njëri në zonën pranë prefekturës ndërsa tjetri në vendin e quajtur “Rruga e Gjerë”.
Më konkretisht bëhet fjalë për një qendër tregtare në pronësi të ish-kandidatit të PD për kryetar bashkie, Xhemal Bushati ndërsa tjetra pranë një supermarketi që ndodhet vetëm 10 metra larg karburantit.
Gjithashtu bëhet e ditur se ka dëme të konsiderueshme materiale.
Rreth shpërthimit në qendrën tregtare në pronë të Bushatit ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila ka dënuar sulmin.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati.
Për fat të mirë, familja e zotit Bushati, që banon në të njëjtën godinë, nuk ka lëndime fizike, por ngjarja është tronditëse për ta dhe për qytetarët e Shkodrës. Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin.
Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës.Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!”, thuhet në reagimin e PD-së.


