Sporti

Reja paralajmëron se Broja mund ta nisë nga stoli ndeshjen ndaj Spanjës

03/25/2022 22:24
nga:E K

Shqipëria do të luajë nesër me Spanjën.

Takimi miqësor do të zhvillohet në stadiumin në Barcelonë në stadiumin e Espanyolit me fillim nga ora 19:45, shkruan GazetaBlic Sport.

Për këtë takim ka folur trajneri i “Kuqezinjve”, Edi Reja, ku paralajmëroi se Broja mund të lihet në stol.

“Ndaj Spanjës duhet të jemi në maksimumin tonë fizik, sepse Spanja ka shumë teknik. Luajnë shumë me topin dhe kur luajnë shumë me topin duhet të vraposh. Duhen lojtarë që kanë rezistencë. Mund t’ja lëmë topin Spanjën. Mjafton që të gabojnë dhe të përfitojmë”, tha fillimisht Reja.

“Nëse nesër dikush do ti zgjidhë problemet vetë, kjo nuk është ndeshja për ta bërë. Duhet të luajmë si ekip. Nuk e di as unë kush do të luajë nesër. Në mengjes do të vendos. Me atë që kam parë në këto 3-4 ditë, skuadra është mirë fizikisht”, vazhdoi selektori i Shqipërisë.

“Nuk më duket e drejtë të them këtu formacionin, kur lojtarët nuk e dinë ende kush do të luajë. Nuk fitohen ndeshjet individualisht, është grupi që duhet të fitojë. Do më pëlqentë të luaja kundër Maqedonisë për të parë cila nga ne të dyja është më e fortë”, shtoi tekniku italian.

“Asllani po luan shumë mirë me Empolin dhe pritet shumë nga ai. Uroj shumë të kemi mundësi ta aktivizojmë. Kemi Balliun, i cili kishte më parë probleme fizike, ndërsa tani është rikthyer dhe është në formë shumë të mirë dhe dua ta shikoj në aksion. Sa i përket të tjerëve nuk do të ketë surpriza. Të rinjtë kanë shumë më tepër motivimin”, përfundoi Reja.

/GazetaBlic Sport.