Zyrtarët lokalë në qytetin e rrethuar të Mariupolit kanë thënë se të paktën 300 njerëz dihet se janë vrarë pas bombardimit më 16 mars të Teatrit në këtë qytet.
Rreth 1.300 qytetarë besohet se ishin strehuar në ndërtesë, me vetëm 150 të mbijetuar që kanë dalë nga rrënojat menjëherë pas sulmit.
Momentalisht nuk ka shërbime të emergjencës, të cilat operojnë në këtë qytet, ndërsa luftimet intensive dhe granatimet pranë teatrit kanë penguar përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Teatri u bombardua pavarësisht se fjala fëmijë ishte shkruar me të bardhë në tokë, raporton theGuardian.
“Fatkeqësisht, ne e fillojmë këtë ditë me lajme të këqija. Nga dëshmitarët okularë mësohet se rreth 300 persona kanë humbur jetën në Teatrin e Mariupolit si pasojë e një bombardimi nga një aeroplan rus”, pohoi një zëdhënës i këshillit të qytetit.
“Tani nuk ka më Teatër. Në vend të tij u shfaq një pikë e re dhimbjeje për banorët e Mariupolit, rrënoja që u bënë streha e fundit për qindra njerëz të pafajshëm”, shtoi ai.


