Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore me rezultat të thellë ndaj Burkina Fasos në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” triumfuan me rezultatin 5-0 ndaj Burkina Fasos në ndeshjen e djeshme miqësore.
Aliti, Selmani, Vojvoda, Rashica dhe Domgjoni shënuan golat e fitores ndaj kombëtares afrikane.
Trajneri dhe opinionisti i futbollit kosovar, Gani Sejdiu tha për ‘GazetaBlic Sport’ se paraqitja e futbollistëve kosovarë në ndeshjen e djeshme ishte për t’u vlerësuar.
“Ishte një paraqitje që duhet vlerësuar pozitivisht, si në aspektin e lojës, por edhe nga rezultati, sepse ishte e rëndësishme të shënonim disa gola për shkak të rikthimit të besimit tek goli që na mungonte, por edhe për disa sulmues u bë edhe një problem psikologjik, sidomos për Rashicën. Për sa i përket nivelit të paraqitjes në fushë, skuadra ishte plot entuziazëm, e disiplinuar në aspketin taktik, gjë që është normale në takimin e parë para trajnerit të ri, por skuadra kishte shumë ekuilibër në lojën e saj, edhe pse ishte përbërje disi eksperimentale, por shumë cilësore“, tha fillimisht Sejdiu,
Më pas ai tregoi se edhe çfarë nuk i ka pëlqyer në ndeshjen e djeshme, atje ku tha se nuk i kanë pëlqyer disa veprime tek zona jonë, atëherë kur rezultati ishte i lartë.
“Ajo që nuk më ka pëlqyer ndonjëherë është se pas rezultatit të lartë në disa momente disa lojtarë kanë bërë disa veprime aventureske dhe të papërgjegjshme në zonën tonë, të cilat në ato momente lejohen, por nuk duhet të bëhen shprehi. Përndryshe, një takim i mirëmenaxhuar nga fillimi në fund, dhe uroj që ky entuziazëm të zgjasë edhe në të ardhmen, sepse e mban ekipin në motivimin e duhur. Në fund dua të përmend prezantimin e Dellova-s, më erdhi shumë mirë, sepse ai është lojtari i së ardhmes, por edhe një promovim i Superligës, që sa herë të jepet mundësia duhet bërë“, përfundoi ai për ‘GazetaBlic Sport’.

/GazetaBlic Sport/


