Lajme

Vendimi i ministres Haxhiu për të shkarkuar Ibërdemaj, shfuziqohet

03/24/2022 12:46
nga:Donika Fetahu

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka aprovuar ankesën e Isuf Ibërdemajt për kthimin e tij në pozitën e punës si drejtor i Qendrës së Paraburgimit për të Mitur në Lipjan.

Ministria e Drejtësisë, e shkarkoi Ibërdemajn përmes një vendimi të nxjerrë më 2 dhjetor, 2021. Por, vendimi është shfuqizuar nga KPMSHCK-ja.

Këshilli e ka provuar ankesën e Isuf Ibërdemaj dhe e ka shfuqizuar vendimin për shkarkim të Ministrisë së Drejtësisë.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e me numër A.nr 1232/ 2021 e datës 30.12 2021 e parashtruar nga ankuesi I. B përmes avokatit të tij. Shfuqizohet vendimi me numër reference 160/ 2021 i datës 02.12.2021 të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Këshillit.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes këtij vendimi ka obliguar Ministrinë e Drejtësisë që ta kthejë në punë të dëmtuarin Ibërdemaj.

“Obligohet Ministria e Drejtësisë të Republikës së Kosovës, që të bëjë zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga data e pranimit të këtij vendimi, duke e kthyer ankuesin I.B në pozitën Drejtor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, dhe të bëjë kompensimin e pagës nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës deri në zbatim të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Këshillit.

Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës kishte pushuar procedurën disiplinore ndaj Isuf Ibërdemaj pasi Ministria e Drejtësisë e kishte shkarkuar atë dhe me këtë rast është konsumuar objekti i hetimit.

“Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës me datë 26. 10 2021 ka marrë vendim nr.26 me të cilin e ka përfunduar procedurën disiplinore, me arsyetimin se të njëjtit ju ka ndërprerë marrëdhënia e punës nga Ministrja e Ministrorë së Drejtësisë dhe është konsumuar objekti mbi të cilin është filluar marrëdhënia e punës” thuhet në arsyetim të vendimit të Këshillit.

Ministria e Drejtësisë ka të drejtë që ndaj këtij vendimi të paraqes rast në Gjykatën Themelore të Prishtinës por që ekzekutimi i vendimit për kthim në punë të Isuf Ibërdemaj nuk mund të ndalohet.

“Kundër këtij vendimi të Këshilli, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i këshillit nuk është i ligjshëm mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Administrativ, brenda afatit prej 30 ditësh nga në të cilën i është dorëzuar vendimi, Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi”.

Vendimi për shkarkimin e Ibërdemajt ishte marrë bazuar në një raport të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, që ishte urdhëruar nga zëvendësministri Blerim Sallahu për hetime për dalje nga burgu të Bashkim Mulollit, një ish-dëshmitari bashkëpunues të Prokurorisë.

Raporti i Inspektoratit të MD-së konstatoi se lirimi nga burgu i dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë ishte i jashtëligjshëm.