Sporti

Flasin nga MKRS: Presim përgjigje nga FFK, do të ushtrojmë përgjegjësitë ligjore të përcaktuara në Ligjin për Sportin

03/23/2022 09:32
nga:Mergim Rreci

Ushtruesi i detyrës së sekretarit në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bislim Bislimi, ka njoftuar Federatën e Futbollit të Kosovës se MKRS ka vlerësuar se Kuvendi Ekzekutiv i FFK-së ka bërë shkelje të statutit me rastin e thirrjes së Kuvendit Zgjedhor për datën 6 prill.

GazetaBlic ka siguruar edhe dokumentin të cilin e ka pranuar sekretariati i MKRS-së nga departamenti ligjor lidhur me ketë çështje.

Sipas këtij departamenti me rastin e thirrjes së këtij kuvendi janë bërë shkelje të disa neneve të statutit tê FFK-së.

Dokument/ Letra e MKRS drejtuar FFK’së: Është shkelur statuti!

‘GazetaBlic’ ka kontaktuar Bislimin e MKRS-së, për të marrë detaje të tjera, atje ku ai tha se janë në komunikim me FFK-në dhe se po presin tashmë një përgjigje nga ana e tyre.

Ai gjithashtu shtoi se ajo që ata do të bëjnë në çdo rast është asgjë më pak dhe më shumë se ushtrimi i përgjegjësive ligjore të përcaktuara në Ligjin për Sportin.

“Nga FFK-ja kemi kërkuar një qëndrim nga ana e tyre lidhur me përfundimet e Zyrës Ligjore të MKRS-së për shkeljet e konstatuara. Ne me FFK-në kemi komunikim të rregullt dhe ata kanë kërkuar me të drejtë qasje në Opinionin Ligjor të Zyrës sonë Ligjore të cilin do t’jua dërgojmë dhe fillimisht MKRS-ja do të presë versionin e FFK-së për të analizuar dhe më pas ndërmmarrë ndonjë veprim tjetër nga ana jonë. Ajo që ne do të bëjmë në çdo rast është asgjë më pak dhe më shumë se ushtrimi i përgjegjësive ligjore të përcaktuara në Ligjin për Sportin“, tha fillimisht Bislimi.

Në pyetjen tonë se a mund të anulohet ky Kuvend nëse FFK nuk reflekton në këtë drejtim, ai tha se për këtë gjë do të vendoset më vonë.

Kujtojmë që deri më tash kemi dy kandidatë zyrtarë për Kuvendin Zgjedhor të planifikuar më 6 prill, Agim Ademin dhe Gramoz Vokrrin.

/GazetaBlic Sport/