Lajme

Politico: Lindja foli dhe tërhoqi vërejtjen, por Perëndimi nuk deshi të dëgjojë

03/19/2022 21:33
nga:Astrit Gashi

Për vite me radhë, evropianët në perëndim kanë shpërfillur politikanët nga Polonia dhe vendet baltike sa herë që kanë lëshuar alarmin për kërcënimin ekspansionist të paraqitur nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Ata tani e kuptojnë se duhet të kishin dëgjuar vendet me një njohuri shumë më të thellë për Kremlinin dhe me një kujtesë të hidhur historike të dhunës që Moska është e gatshme të përdorë për të ndjekur qëllimet e saj.

Në vend të kësaj, perëndimorët ndoqën një rrugë të qetësimit tregtar dhe politik të Putinit, të udhëhequr nga ish-kancelarja, gjermane Angela Merkel, shkruan Politico.

Kjo rrugë çoi në pushtimin e Ukrainës, bombardimin e qyteteve të saj dhe emigracionin masiv.

“Perëndimorët për këto 30 vitet e fundit na ironizuan. Për vite ata na shikonin shtrembër për qëndrimin tonë”, thotë ish ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski.

Lindorët shprehen se u përplasën me një mur me tulla, kur bënë thirrje për shtimin e forcave dhe pajisjeve të NATO-s, kur tërhoqën vërejtjen për sulmet kibernetike dhe kur i i bënë thirrje Berlinit që të mos e linte BE-në peng nga tubacionet gjigante që pomponin gazin rus drejtë në Gjermani.

Sikorski i hapur dhe i ashpër, në atë kohë ministër i Mbrojtjes, shkaktoi zemërim në qarqet diplomatike në vitin 2006, kur guxoi të krahasonte projektin e gazsjellësit Rusi-Gjermani, Nord Stream, i cili anashkaloi Poloninë, me paktin Molotov-Ribbentrop të vitit 1939, që ndau Poloninë midis nazistëve dhe sovjetikëve.

Udhëheqësit polakë dhe baltikë e panë pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014 si një prag përcaktues që sinjalizonte se Putini duhej të ndalohej me një shfaqje të vërtetë të forcës nga Perëndimi, ose përndryshe ai do të vazhdonte të sulmonte më shumë objektiva.

Megjithatë, në takimet e pafrytshme në Bruksel, diplomatët polakë dhe baltikë zbuluan se shumica e Bashkimit Evropian ngurronte të vendoste sanksione të rënda ndaj Moskës, pavarësisht pushtimit të një aleati të BE-së.

Cikli më i fundit i agresionit rus ishte në vitin 2007.

Atë vit, Putini mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, që siguroi një themel për shumë nga vendimet që pasuan.

Në fjalimin e tij, ai sulmoi SHBA-në për krijimin e një bote unipolare “në të cilën ka një mjeshtër, një sovran”, kritikoi zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe sfidoi rendin e pas Luftës së Ftohtë në Evropë.

Sikorski, i cili u bë kryediplomati i Polonisë në të njëjtin vit, filloi të kërkonte më shumë forca të NATO-s në vendin e tij.

Jo të gjithë në NATO menduan kështu në atë kohë.

“Kur kërkova në shumë raste që anëtarësimi ynë në NATO të përmbushej me praninë fizike – dhe kërkova vetëm dy brigada, që do të thotë 10 mijë trupa amerikane – kjo u konsiderua si kërkesë e egër. Gjermania në veçanti, por edhe të tjerët, për herë të parë në histori e gjetën veten të rrethuar nga shtete ekskluzivisht miqësore. Dhe ata nuk e ndjenë dhimbjen tonë për të qenë një vend krahu, për të qenë në skaj të botës së demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë”, tha Sikorski.

Estonezët kujtojnë një episod tjetër të vitit 2007.

Në prill, serverët e kompjuterëve të vendit baltik u goditën nga një valë masive sulmesh në faqet e internetit publike dhe private, duke mbyllur në thelb të gjithë vendin në mënyrë digjitale për javë të tëra.

Ndërsa qeveria ruse në mënyrë të përsëritur mohoi përfshirjen në sulmet kibernetike, Estonia nuk ishte e bindur.

“Na u tha nga disa nga aleatët tanë të NATO-s në Evropë se: Oh, ju nuk e dini se për çfarë po flisni, ju thjesht po tregoheni ruso-fobik”, tha Toomas Hendrik Ilves, i cili ishte presidenti estonez në kohën e sulmeve kibernetike.

Për arsye gjuhësore dhe historike – si dhe frikë e pastër nga rreziku përtej kufirit – shtetet baltike shpesh kanë inteligjencë dhe analiza të shkëlqyera të aktivitetit rus, por ato analiza shpesh injorohen.

Rihard Kols, kryetar i komitetit të punëve të Jashtme të parlamentit të Letonisë, tha se Riga ishte përfshirë në paralajmërimin e NATO-s për ambiciet ruse përpara pushtimit të Gjeorgjisë në vitin 2008.

Por Kols theksoi se e kishte të vështirë të bindte homologët e tij në Perëndim se sa i rrezikshëm mund të ishte Putini.

Shtetet e Bashkuara, nën administratën e Barack Obamës, zgjodhën gjithashtu një “ripërtëritje” me Rusinë në vitin 2009.

Gjesti në mënyrë të famshme nisi, kur Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton i dha homologut të saj rus Sergey Lavrov një buton të madh të kuq, por me fjalë të gabuar ruse e shkruar në të.

Pavarësisht nga rusishtja e keqe, ishte një vendim që Ilves e quajti “katastrofik”.

I vetmi lider evropian që e “befasoi” gjithmonë ishte Merkel.

Ajo ishte rritur pas perdes së hekurt, por u tregua enigmatike nëse e kuptonte vërtet rrezikun nga Rusia.

Në gusht të vitit 2014, disa muaj pasi Rusia aneksoi Krimenë, ministrat e Jashtëm të BE-së ishin në debate të ashpra rreth asaj se sa larg të shkonin për të sanksionuar Kremlinin.

Baltikët, si zakonisht, u bashkuan me polakët, britanikët dhe suedezët për të kërkuar sanksione më të ashpra.

Kampi kundërshtar erdhi nga shtetet ish-komuniste, Hungaria dhe Sllovakia – të dyja të qeverisur nga populistët pro-Kremlinit.

“Politika e sanksioneve e ndjekur nga Perëndimi na shkakton më shumë dëm sesa Rusisë”, tha atëbotë kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Lituanisë, Linas Linkevičius, u përgjigj duke thënë se ishte më mirë të qëlloje veten në këmbë sesa të lije veten të të qëllohej në kokë.

Mesazhi ishte i qartë: nëse Putin-i do të lejohej të ikte me Krimenë, ai do të vazhdonte me luftërat e tij të zgjerimit.

Kur trupat ruse u grumbulluan rreth Ukrainës një muaj më parë, presidenti francez, Emmanuel Macron, ishte një nga udhëheqësit e Evropës Perëndimore që fluturoi për në Moskë në përpjekje për ta larguar Putinin nga e pashmangshmja.

Linkevicius nuk ishte i impresionuar.

“Kjo është si psikoterapi. Të gjitha këto bisedime deri më tani ishin një iluzion”.

Ai theksoi se Perëndimi nuk ka asnjë faj për atë që po ndodh sot në Ukrainë, pasi kjo është tërësisht vepër e Rusisë.

Megjithatë, tha ai, nëse “ata që do të kishin pasur mundësi me kohë për të bërë diçka, nuk bënë asgjë, ata duhet të ndajnë përgjegjësinë”.
Lufta që po shpërthen tani në Ukrainë, thotë Ilves, duhet t’i mësojë Evropës Perëndimore një mësim:

“Mos bëni politikën e Rusisë pa u konsultuar me njerëz që dinë shumë më tepër për Rusinë sesa ju. Mos u mbështetni te njerëzit që janë trajnuar si diplomatë, por nuk kanë njohuri të vërtetë për modelet e sjelljes ruse”.