Banka Botërore përmes një shume me vlerë prej 50.6 milionë euro ka vendosur të përkrahë reformat për fuqizimin e financave publike dhe rritjes së qëndrueshme në Kosovë.
Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore të shtunën ka miratuar Financimin e Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme, që do të mbështesë reformat e Kosovës drejt përmirësimit të transparencës fiskale, zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së qëndrueshmërisë mjedisore pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media të Bankës Botërore.
“Reformat e përkrahura nga ky operacion do të mbështesin Qeverinë e Kosovës në rrugëtimin për rritje më të qëndrueshme përtej recesionit të shkaktuar nga COVID-19”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Në komunikatën për media më tej thuhet se pandemia ka rritur gjithashtu rëndësinë e një mjedisi më mbështetës për sektorin privat drejt arritjes së synimeve të Kosovës për rritje më të lartë ekonomike dhe ulje më të shpejtë të varfërisë.
“Sektori privat në Kosovë mbetet nën nivelin e pritur sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit. Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik. FPZH do të mbështesë një sërë masash [të Qeverisë] për të përmirësuar mjedisin mbështetës për zhvillimin e sektorit privat”, thuhet ndër të tjera në njoftim.


