Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Bearbock, bëri të ditur se Gjermania do të shtojë angazhimin e saj ndërkombëtar për paqen, duke paraqitur edhe plane konkrete për një angazhim të tillë.
Baerbock tha në Berlin se veprimet agresive të Rusisë në Ukrainë e bënë të qartë “kur bëhet fjalë për çështjet e luftës dhe paqes, kur bëhet fjalë për çështjet e së drejtës dhe të gabuarës, asnjë vend, madje as Gjermania, nuk mund të jetë neutral”.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur merret parasysh historia gjermane.
“Për ne, dhe për mua, një përgjegjësi e veçantë lind nga faji i Gjermanisë për luftën dhe gjenocidin”, tha politikania nga radhët e Partisë së Gjelbër në fillimin e punës për hartimin e një strategji të re të sigurisë kombëtare për Gjermaninë.
Kjo nënkupton detyrimin “për t’u qëndruar pranë atyre të cilëve u kërcënohet jeta, liria dhe të drejtat”, tha ajo.
Ministrja tha se lufta e bërë nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili po shkel të drejtën ndërkombëtare, po na përballë me një realitet të ri për sa i përket politikës së sigurisë.
“Në dritën e shkeljes masive nga Rusia të rendit dhe paqes, ne duhet t’i saktësojmë edhe më shumë parimet që na udhëheqin në politikën praktike. Një qëndrim i qartë, një aftësi më e fortë për të vepruar dhe instrumente të forta të politikës së jashtme dhe të sigurisë janë vendimtare. Lufta ruse në Ukrainë është një pikë kthese gjeopolitike me efekte të gjera në sigurinë evropiane”, theksoi Baerbock.


