Eurodeputetet kanë “bombarduar” sot me pyetje anëtarin serb dhe atë kroat të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodikun dhe Dragan Çoviqin, i cili është udhëheqës i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), në Bosnje dhe Hercegovinë, ka raportuar Slobodna Bosna.
Michael Gahler, anëtar i Parlamentit të Bashkimit Evropian, e ka pyetur kreun e Republika Serbe, Milorad Dodik se për çfarë kishte biseduar me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe nëse ai do ta njihte rajonin e Banja Llukës si të pavarur, siç bëri Putini me Donetskun dhe Luhanskun.
Ai e pyeti Çoviqin se çfarë pret nga kroatët kur është kaq i lidhur me Dodikun, i cili është i lidhur me Putinin.
“I bëj thirrje zotit Dodik që t’i ndërpresë lidhjet me Kremlinin dhe të ndalojë retorikën shkatërruese. Zoti Çoviq, ju bëj thirrje që të distancoheni nga zoti Dodik derisa ai ta dënojë agresionin”, tha eurodeputetja Tineke Strik.
Kritika pati edhe eurodeputeti tjetër, Dietmar Koster, i cili ju drejtua Dodikit me fjalët se “nuk ka vend në Evropë për mohuesit e gjenocidit”.
“Bllokimi i vazhdueshëm i institucioneve të Bosnjës dhe përdorimi i retorikës nxitëse në publik çon vetëm në paqëndrueshmëri dhe vonesa në arritjen e reformave që janë kaq të rëndësishme për vendin dhe një jete më të mirë për njerëzit. Mesazh për të gjithë ju: Unë përsëris mbështetjen time për një Bosnjë të bashkuar, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe rrugën e saj evropiane. Ne jemi me Bosnjën, po punojmë me ju për ta mundësuar dhënien e statusit të kandidatit”, tha Koster.
Në përgjigjen e tij për eurodeputetët, Dodik tha se ai mbështet “integritetin territorial dhe sovranitetin e Rusisë dhe Ukrainës”.
“Unë dënoj çdo luftë. Siç e dënova bombardimin e Beogradit, po ashtu dënoj përdorimin e forcës në Ukrainë, pavarësisht se kur erdhi. Kërkojmë vendosjen e paqes”, tha Dodik.
Dodik tha se nuk është i ndikuar nga Rusia dhe i akuzoi eurdeputetët se po përpiqen të “përhapin stereotipe”.
Dodik pranoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm rus.
“Para kësaj kam qenë në Rusi dhe kemi biseduar për aktivitetet ekonomike. Ata kanë një rafineri nafte, kështu që unë doja të siguroja sasi të mjaftueshme për RS dhe jam krenar sepse Bosnja nuk është në listën e sanksioneve të Rusisë për furnizimet me energji për shkak të veprimeve të mia”, tha Dodik.


