Lajme

NATO: Ftojmë Putinin që të ndalë luftën në Ukrainë

03/15/2022 15:53
nga:Astrit Gashi

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg u bëri thirrje anëtarëve të aleancës që të shpenzojnë më shumë se 2% të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje, në mënyrë që të forcohet aleanca.

Ai tha se roli themelor i NATO-s është të mbrojë anëtarët e saj dhe se këtë po e bën edhe tani.
“Ne kemi rritur praninë tonë në pjesët lindore të aleancës, ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s,” tha ai.

Stoltenberg tha se është e nevojshme të parandalohet çdo sulm i mundshëm ndaj forcave të NATO-s.

“Sa i përket Kinës, ajo duhet t’i bashkohet pjesës tjetër të botës. Çdo mbështetje për Rusinë në këtë luftë brutale kundër një shteti të pavarur e ndihmon Rusinë të vazhdojnë luftën që ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrim. Kina ka një detyrim si një anëtare e OKB-së të respektojë ligjin publik ndërkombëtarë”, tha ai.

Stoltenberg i bëri edhe një herë thirrje Kinës që të mos e mbështesë Rusinë.

“NATO e ka mbështetur Ukrainën për vite me radhë, edhe kur Rusia e pushtoi atë në vitin 2014”, u tha Stoltenberg gazetarëve.

Ai deklaroi se ajo ndihmë dhe mbështetje forcoi fuqinë e mbrojtjes së Ukrainës, përmes stërvitjeve, por edhe armëve.

“Presidenti Putin është përgjegjës për këtë luftë, ai mund ta përfundojë atë menjëherë dhe të tërheqë trupat. Ne i bëjmë thirrje atij ta bëjë këtë,” nënvizoi Stoltenberg.