Miliarderi dhe filantropisti amerikan, George Soros, publikoi një opinion në gazetën austriake Der Standard me titull “Vladimir Putini dhe rreziku i Luftës së Tretë Botërore”. Ai i kushtoi në veçanti vëmendje marrëdhënieve në mes të Rusisë dhe Kinës.
“Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt shënoi fillimin e Luftës së Tretë Botërore, e cila ka potencialin të shkatërrojë qytetërimin tonë”, fillon në mënyrë dramatike opinionin e tij miliarderi Soros.
Ai shkruan se pushtimi pasoi një takim të gjatë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping më 4 shkurt – ditën e festimit të Vitit të Ri Hënor Kinez dhe Olimpiadës Dimërore të Pekinit.
“Në fund të atij takimi, të dy ata publikuan një deklaratë të hartuar me kujdes prej 5000 fjalësh, duke deklaruar një partneritet të ngushtë në mes të dy vendeve të tyre”, kujton Soros.
“Pasi mori mbështetjen e Xi, Putini filloi realizimin e ëndrrës së tij të jetës me brutalitet të jashtëzakonshëm. Tani pothuajse 70 vjeç, Putin beson se nëse dëshiron të lërë një gjurmë në historinë ruse, momenti është tani ose kurrë. Por ai ka një perceptim të shtrembëruar të rolit të Rusisë në botë. Duket se beson se populli rus ka nevojë për një perandor që ta ndjekë verbërisht. Është krejtësisht e kundërta e një shoqërie demokratike, është një vizion që shtrembëron “shpirtin rus”, emocional deri në sentimentalizëm”, shkroi ai.
Soros beson se anëtari dinak i dikurshëm i KGB’së, ka ndryshuar kohët e fundit.
“Ai duket se ka zhvilluar një ide fikse dhe e ka humbur kontaktin me realitetin,” tha ai.
Soros ka vetëm fjalë lavdërimi për ukrainasit.
“Sido që të jetë, ai e vlerësoi gabim situatën në Ukrainë. Ai supozoi se ukrainasit rusishtfolës do t’i mirëprisnin ushtarët rusë me krahë hapur, por doli se ata nuk ishin aspak të ndryshëm nga popullsia ukrainas-folëse. Ukrainasit deri më tani kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm, rezistencë ndaj një situate në dukje e pashpresë”, shkroi Soros.
Soros beson se ushtria ruse është në një gjendje të keqe dhe se Ukraina mund të fitojë me ndihmën e Perëndimit.
“Ushtria ruse u tregua e dobët kur u urdhërua të sulmonte vëllezërit ukrainas. Gjithashtu, korrupsioni i rrënjosur në dhënien e kontratave të mbrojtjes luajti një rol të madh në këto rezultate të dështuara. Në vend që të fajësonte veten, Putini duket se e ka humbur mendjen në raport me të vërtetën. Ai vendosi të dënojë Ukrainën sepse ajo e kundërshtoi dhe duket se i ka humbur të gjitha frenimet. Ai hedh të gjithë ushtrinë ruse në betejë dhe injoron të gjitha rregullat e luftës, duke bombarduar edhe civilë. Që atëherë, shumë spitale janë goditur”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Rusia mund ta humbasë shumë lehtë luftën.
“Si SHBA dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë armë mbrojtëse në Ukrainë dhe po bëhen përpjekje për të blerë avionë luftarakë MiG të prodhuar nga Rusia, me të cilët pilotët ukrainas të mësuar të veprojnë. Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh. Ne vetëm mund të shpresojmë se Putini dhe Xi do të rrëzohen përpara se të mund ta zhdukin qytetërimin tonë”, përfundon Soros.


