Sporti

Abedin Zeka për zgjedhjet në FFK/ Në Superligë votat janë 5:5

03/14/2022 10:54
nga:L J

Tashmë kemi hyrë në javët e fundit para zgjedhjeve në Federatën e Futbollit të Kosovës, andaj reagimet dhe deklaratat e akterëve sa vijnë e shtohen.

Dje, kryetari i klubit të Trepçës 89′, Abedin Zeka ka konfirmuar se djali i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri do të jetë kundërkandidati i Agim Ademit për karrigen e të parit të institucionit më të madh të futbollit kosovar, shkruan GazetaBlic Sport.

Gjithnjë sipas kryetarit të klubit mitrovicas, Abedin Zeka – kundërkandidati i Agim Ademit do të jetë Gramoz Vokrri, pasi ka siguruar 18 nënshkrime, kurse dy tjera janë ende të pavendosura.

I pyetur në lidhje se si janë votat momentalisht – Zeka nuk ka pranuar të japë përgjigje të hollësishme – teksa ka zbuluar vetëm një detaj.

“Do ta shihni shumë shpejtë. Në Superligë, momentalisht jemi 5:5. Unë s’jam në Superligë, por jemi 5:5”, tha Abedin Zeka në Ekipin A.

Sipas Abedin Zekës, 5 klube të Superligës janë për të vazhduar me Agim Ademin edhe në një mandat, kurse 5 tjera po kërkojnë ndryshim.

Vlen të potencohet se Gramoz Vokrri akoma nuk ka dalur publikisht ose zyrtarisht që të shpallë kandidaturën e tij për kryetar të FFK’së.

Zgjedhjet në FFK do të mbahen me 6 prill të këtij viti.

/GazetaBlic Sport