Qytetarët kanë vendosur këtë të shtunë të mbyllin protestën e katërt të tyre përballë Kryeministrisë për t’u rikthyer sërish nesër në të njëjtën orë me të njëjtin itinerar.
Edhe pse Qeveria miratoi një akt normativ për uljen e çmimit të karburantit, qytetarët kërkojnë edhe uljen e çmimit të produkteve të tjera.
Pavarësisht nga fakti se protesta u deklarua e mbyllur, disa studentë vijojnë marshimin e tyre, duke u drejtuar për nga Drejtoria e Polcisë së Tiranës. Ata kërkojnë lirimin e të shoqëruarve gjatë tre ditëve të protestës.
Qytetarët të grumbulluar nga disa vende të Shqipërisë, njëzëri thanë se kjo nuk ishte protestë “politike”.
Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarburëve në përfundim të mbledhjes, thanë burime për Top Channel, vendosi se çmimi i sotëm në treg i naftës nga 223 lekë të shkojë në 217 lekë për liter.
Në protestën e sotme, protestuesit kërkuan nga Qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg. Një kërkesë tjetër e tyre ishte lirimi i disa protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.
Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, ndërsa në Klos të rrethit të Matit u bllokua rruga nacionale. Po ashtu, qytetarët protestuan edhe në Pogradec e Berat.
Ndonëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se sot ka nisur puna e bordit të kontrollit të furnizuesve të naftës dhe Qeveria është mbledhur për te miratuar paktën anti-krizë, qytetarët janë mbledhur sërish.


